Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar gjatë një takimi me një admiral të NATO-s të premten në Prishtinë se vendi i saj përballet me “kërcënime të vazhdueshme” nga Serbia, tha Presidenca kosovare.

Në takim me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admiralin Stuart B. Munsch, Osmani “vuri në pah sfidat e sigurisë në veri të vendit dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia”, tha Presidenca në një komunikatë.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

Misioni i NATO-s, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Osmani nënvizoi gjithashtu rëndësinë e rolit të misionit paqeruajtës të NATO-s në vend, KFOR si faktor i rëndësishëm për parandalimin e përshkallëzimeve dhe ruajtjen e paqes.

“Në këtë kontekst, ajo ritheksoi se marrëdhënia ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it është jetike për misionin e përbashkët të stabilitetit dhe sigurisë në vend”, thuhet në njoftim.

“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s dhe vendosmërinë e Kosovës për të qenë një partner i besueshëm dhe aktiv i botës demokratike”, tha Presidenca.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta veçanërisht nga fundi i vitit 2023, kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur në veriun e banuar me shumicë serbe.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb