Fshati Perondi në bashkinë Kuçovë vuan prej vitesh mungesën e investimeve. Edhe pse ky fshat ndodhet vetëm 8 km larg qendrën së qytetit, bashkia e Kuçovës e ka lënë në mëshirë të fatit.
Mungesa e kanalizimeve dhe e investimeve në infrastrukturë, ujërat e zeza të dala në sipërfaqe por edhe mbeturinat që kanë pushtuar gjithë territorin e fshatit, i kanë irrituar aq shumë banorët e këtij fshati, të cilët deklarojnë se u është bërë jeta ferr. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, në një zonë të fshatit janë hapur kanalizimet e ujërave të zeza. Banorët pohojnë se era e keqe dhe ujërat e zeza kanë pushtuar fshatin.
“Po bashkëjetojmë me ujërat e zeza dhe plehrat, askush nuk e dëgjon zërin tonë, fëmijët po na sëmuren nga ndotja e lartë. Shumë fëmijë na kanë rënë brenda këtyre pusetave duke luajtur, kemi frikë mos na vriten fëmijët.
Kemi shkuar shpeshherë në bashkinë e Kuçovës për tu ankuar për shqetësimet tona por nuk na ka pritur askush. Nuk dimë më çfarë të bëjmë dhe kujt t’i drejtohemi. Paguajmë çdo taksë e detyrim bashkiak dhe nuk kemi as rrugë, as ndriçim, as pastrim…asgjë”, -shprehen banorët e fshatit Perondi në bashkinë e Kuçovës.
(BalkanWeb)
