Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kritikuar ashpër aleatët e NATO-s, duke i cilësuar ata si “frikacakë” në një postim të publikuar në platformën Truth Social.

Trump deklaroi se vendet anëtare të NATO-s nuk kanë treguar gatishmëri për t’u përfshirë në veprime që do të ndihmonin në sigurimin e kalimit të lirë të anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për tregtinë globale të naftës.

Në postimin e tij, ai shkruan:“Pa SHBA-në, NATO është një tigër prej letre! Ata nuk donin t’i bashkoheshin luftës për të ndaluar një Iran me fuqi bërthamore”.

Ai shtoi më tej se, sipas tij, pas përfundimit të operacioneve ushtarake, aleatët po ankohen për çmimet e larta të naftës, por nuk janë të gatshëm të kontribuojnë në zgjidhjen e situatës.

“Tani që lufta është fituar ushtarakisht, me shumë pak rrezik për ta, ata ankohen për çmimet e larta të naftës që detyrohen të paguajnë, por nuk duan të ndihmojnë në hapjen e Ngushticës së Hormuzit, një manovër e thjeshtë ushtarake që është arsyeja e vetme për çmimet e larta të naftës. Kaq e lehtë për ta ta bëjnë, me kaq pak rrezik. frikacakë, dhe ne do ta kujtojmë!”, shkruan ai.

Deklaratat e tij pritet të nxisin debate të reja mbi rolin e NATO-s dhe marrëdhëniet transatlantike, veçanërisht në një moment të ndjeshëm për sigurinë energjetike globale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb