Gjykata  e BE-së hodhi poshtë një kërkesë të një kompanie portorikane me arsyetimin se konsumatorët mund ta lidhnin markën e saj me krimet e trafikut të drogës. “Pablo Escobar” nuk mund të regjistrohet në Bashkimin Evropian si markë tregtare, ka vendosur një gjykatë evropiane, duke refuzuar një kërkesë të një kompanie portorikane që donte të përdorte emrin e trafikantit famëkeq kolumbian të drogës Pablo Escobar për të shitur mallra dhe shërbime në BE.

Gjykata e Drejtësisë së BE-së vendosi në favor të Zyrës së Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Evropian (EUIPO), e cila kishte refuzuar regjistrimin e kësaj marke tregtare me arsyetimin se ishte “në kundërshtim me rendin dhe moralin publik”.

Kompania Escobar, me bazë në territorin amerikan të Porto Rikos dhe që dëshironte të përdorte markën tregtare “Pablo Escobar”në BE , më pas apeloi vendimin e EUIPO në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së.

Gjykata në Luksemburg në vendimin e saj vuri në dukje se në thelb EUIPO kishte justifikuar saktë refuzimin e kërkesës së kompanisë, bazuar në veçanti në ndjenjën negative që emri Escobar u sjell kryesisht spanjollëve dhe atyre në Evropë që kanë më shumë gjasa për ta njohur trafikantin famëkeq.

Pablo Escobar, themeluesi dhe bosi i kartelit Medellín, i cili u vra në të njëjtin qytet nga policia në vitin 1993, “konsiderohet në Spanjë si një simbol i krimit të organizuar dhe përgjegjës për krime të shumta ,” vuri në dukje Gjykata.

Kështu, EUIPO kishte të drejtë të konsideronte se ekziston rreziku që spanjollët, dhe rrjedhimisht të gjithë konsumatorët evropianë, ta lidhin emrin e saj më shumë me këto “krime dhe vuajtje” që rrjedhin nga trafiku i drogës “se sa me të mirat e mundshme në favor të veprimeve të tij, të të varfërve në Kolumbi”, siç argumentoi kompania.

Kërkesa për regjistrimin e markës tregtare të Pablo Escobar nga Escobar Inc. daton nga viti 2021. Kompania kishte kundërshtuar refuzimin e EUIPO-së, duke e parë refuzimin e saj si shkelje të së drejtës së trafikantit kolumbian të drogës për prezumimin e pafajësisë (ai nuk ka qenë kurrë i dënuar penalisht).

Gjykata e BE-së nuk saktësoi në vendimin e sotëm se çfarë përfshin “gama e gjerë e produkteve dhe shërbimeve” që ofron kjo kompani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb