Një tjetër çështje civile pritet të vendosë në pozitë të vështirë Operatorin e Shpërndarjes së Energjise Elektrike.

Shoqëria rumune “SC Aem”, nëpërmjet kësaj padie që Top Channel disponon, i kërkon Gjykatës së Tiranës që të bllokojë llogaritë bankare të OSHEE-së për vlerën e 5 milionë e 311 mijë eurove.

Kërkuesi ka depozituar padinë për marrje mase të përkohshme, derisa mosmarrëveshja të zgjidhet në themel. Sipas padisë së “SC Aem”, OSHEE nuk ka respektuar kontratën e lidhur në muajt qershor-korrik 2011, për furnizimin me matësa induktivë.

Këto kontrata, sipas padisë, janë nënshkruar me afat njëvjeçar, por afati i tyre është zgjatur nga palët dhe në muajin shkurt të këtij viti, “SC Aem” dhe OSHEE kanë firmosur një marrëveshje me objekt furnizimin me bokse matës.

Shoqëria rumune pretendon para gjykatës se, pavarësisht se i ka përmbushur të gjitha detyrimet, duke kryer furnizimet përkatëse, OSHEE nuk i ka shlyer vlerën e mallrave të blera. Sipas paditësit, OSHEE-ja, në bazë të kontratës duhet ta paguante detyrimin prej mbi 311 mijë eurosh brenda datës 30 prill 2015.

Nga mospërmbushja e këtij detyrimi, sipas shoqërisë rumune, asaj i është shkaktuar një dëm prej 5 milionë eurosh. “Ne jemi përpjekur – thotë shoqëria rumune, – që ta zgjidhim këtë situatë me mirëkuptim, por nga OSHEE nuk është bërë asnjë përpjekje për shlyerjen e vlerës që na detyrohet, ndonëse gjatë kësaj kohe ka pranuar pa asnjë kundërshtim sasinë e mallrave të kërkuara”.

Në lidhje me ngjarjen, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) sqaron se, nuk ka asnjë padi të ngritur ndaj shoqërisë. OSHEE sqaron se”nuk është njohur nga gjykata me asnjë akt të pretenduar nga kompania rumune “SC Aem”, megjithatë, nga sa mësohet, kompania në fjalë ka paraqitur Kërkesë Për Sigurie Padie, dhe jo Padi për dëmin e shkaktuar”.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bën me dije ndër të tjera se “Kërkesa për siguri padie, është një hap teknik ligjor drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjes mes palëve”

Në lidhje me këtë fundit, “OSHEE deklaron se i është përmbajtur detyrimit për të paguar kompaninë në lidhje me mallin. Vonesat kanë ardhur për shkak të mosrespektimit nga ana e kompanisë rumune në lidhje me plotësimin e dokumenteve teknike, të cilat nuk i zotëronte. Së fundi, “SC Aem” e kanë plotësuar dokumentin dhe shoqëria ka nisur shlyerjen e detyrimeve kontraktore!”.

(d.b/ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb