Ka nisur në Gjykatën Kushtetuese seanca për shqyrtimin e padisë së kryetares së Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi në cilësinë e kryetares së Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë për pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se zgjedhjet e 30 qershorit 2019 që u zhvilluan pa pjesëmarrjen e opozitës pritet të jenë testi i radhës për Gjykatën Kushtetuese e dalë nga reforma në drejtësi.

“7 anëtarët kanë dalë në seancë plenare për të shqyrtuar një kërkesë të bërë nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, përfaqësuar nga zonja Voltana Ademi, e cila vijon të mbajë mandatin e kryetares së bashkisë së Shkodrës, ndonëse mandati i saj ka përfunduar. Zonja Admei në emër të shoqatës së Bashkive i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese konstatimin antikushtetues të procesit zgjedhor të 30 qershorit 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiake dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve.

Gjithashtu Ademi kërkon verifikimin e kushtetueshmërisë së veprimtarisë së Partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në Gjykatë për zgjedhjet e datës 30 qershor 2019. Zgjedhjet lokale të dy viteve më parë u bojkotuan nga opozita dhe vetëm në disa bashki ishin disa kandidatë të Partisë Binda Demokratike të cilët garuan dhe që në një farë mënyre legjitimuan procesin.

Zonja Ademi pretendon se gara për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore ka qenë një garë e cila nuk ka pasur mundësi zgjedhjeje për qytetarët, ka qenë e njëanshme. Sipas saj, qytetarëve shqiptarë iu është mohuar e drejta për të pasur kandidatë dhe për të zgjedhur”, raportoi Lala.

Përfaqësuesja e qeverisë Edlira Kokona i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të mos e pranojë shqyrtimin e padisë për rrëzimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, me pretendimin se është bërë jashtë afatit.

Kokona kërkoi pushimin e gjykimit të çështjes derisa të merret një vendim për organet drejtuese të shoqatës, ku Pjerin Ndreu i mori vendin Voltana Ademit.

“Nuk na është vënë në dispozicion statuti i shoqatës së bashkive. Kërkojmë kopjen e prokurës për zonjën Ademi si përfaqësuese e shoqatës. Këshilli i Ministrave kërkon pezullimin e çështjes, derisa gjykata e Tiranës të shprehet për organet drejtuesve te shoqatës. Kërkojmë pushimin e gjykimit për shkak të juridiksionit të gjykatës kushtetuese. Për aq kohë sa është pranuar shoqata e bashkive, duhet të pranohet edhe shoqata e autonomisë vendore”, tha Kokona.

Ndërsa, këshilltari i presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishi tha se pretendimi i shoqatës së Bashkive, është prej 2019. “Shoqata tjetër e Bashkive ka pasur tendencë jo vetëm të ushtrojë funksionin e saj, por edhe të largojë nga drejtimi përfaqësuesit e kësaj shoqate. Qëllimi ka qenë që të uzurpojnë këtë shoqatë. Unë kërkoj që të rrëzohet kërkesa që ajo shoqatë të bëhet pjesë e këtij procesi. Këshilli i Ministrave kërkon pezullim të çështjes, derisa gjykata e Tiranës të shprehet sa i takon organeve drejtuese të shoqatës. Gjithashtu kërkojnë pushim të gjykimit, pasi nuk ka kompetencë për këtë çështje. Të dy shoqatat kanë të drejtë të jenë pjesë e këtij procesi”, u shpreh Dervishi.

Jordan Daci përfaqësuesi i shoqatës së bashkive (Voltana Ademi) deklaron se nuk duhet të marrë pjesë si subjekt i interesuar, pasi janë në konflikt interesi. “I kërkojmë Gjykatës Kushtetuese që mos ta pranojë pasi është jashtë afateve. Këshilli i Minstrave nuk mund të jetë palë e interesuar, pasi pushteti lokal është i pavarur. Edhe avokatura e shtetit, nuk mund të jetë palë në këtë proces, pasi i shërben gjithë shtetit dhe nuk mund të përfshihet”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb