Eksperti i tregut të punës, Erald Pashaj, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me kostot e jetesës në Shqipëri.

Pashaj u shpreh se pagat dhe çmimet në Shqipëri janë të pashpjegueshme, ndërsa theksoi se është tejet e vështirë për të siguruar shifra të sakta për shkak të parregullsive.

Ai shtoi se presioni për rritjen e pagave nga punëmarrësit është i madh pavarësisht rritjeve të viteve të fundit, por nga ana tjetër punëdhënësit kanë prioritete të tjera si rritja e fitimit apo ulja e kostove.

“Po të shohim pagat që kemi dhe çmimet nuk e shpjegojmë dot. Ne jemi në një situatë ku edhe shifrat nuk i kemi të sakta. Ne kemi disa analiza dhe na ka dalë se me 100 mijë lekë të reja për person ,pra 200 mijë neto, një familje me 4 anëtarë mund të bëjë një jetesë normale. Megjithatë këto nuk janë pagat. As pagat nuk i dimë.

Themi që ka 320 mijë persona me pagë minimale, por e dimë të gjithë që nuk janë me pagë minimale. Që këtu janë gabim shifrat. Duhet të shohim dy Shqipëri. Është pjesa e qendrës, është sindromë e vendeve të pazhvilluara. Ka një dallim mes pjesës së zhvilluar dhe asaj të pazhvilluar. Ka diferenca shumë të mëdha.

Me këtë fuqi blerëse që kemi është e vështirë të bëhet diçka, presioni për pagat është shumë i madh nga punëmarrësit, por punëdhënësit edhe pse pagat janë rritur vitet e fundit, drejtuesit nuk kanë atë synim. Synimi kryesor i tyre është rritja e fitimit, ulja e kostove dhe mbajtja e punonjësve. Kjo është paradoksale. Remitancat po ashtu nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar këto kosto. Nuk e kuptojmë dot pse ndodh. Ka vetëm hipoteza”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb