Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, përmes kryetarit Maksim Haxhia ka reaguar për situatën e krijuar në vend, duke bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe zgjidhjen e konflikteve përmes dialogut dhe mekanizmave kushtetues. Në një deklaratë, Dhoma e Avokatisë thekson se e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore që duhet respektuar dhe garantuar, ndërsa nënvizon se pakënaqësitë e qytetarëve duhet të dëgjohen seriozisht dhe të marrin përgjigje konkrete nga institucionet.

Sa i përket ndryshimit të pushtetit dhe përfaqësimit politik, në deklaratë thuhet se ato duhet të burojnë nga vullneti i lirë i qytetarëve, i shprehur përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe procedurave demokratike.

“Heshtja përballë problemeve nuk është zgjidhje, por as përplasja nuk mund të zëvendësojë dialogun”, thuhet në deklaratën e Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë.

Deklarata e plotë

THIRRJE PUBLIKE E DHOMËS SË AVOKATISË TË SHQIPËRISË

Për ndalimin e dhunës, duke u bërë thirrje të gjitha palëve për zgjidhjen e situatës me dialog dhe përgjegjësi.

Në kushtet e situatës së krijuar në vend, Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë e konsideron detyrim qytetar dhe profesional të bëjë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës, përgjegjshmëri, dialog dhe respektim të Kushtetutës e të parimeve demokratike.

Ne theksojmë me forcë se e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore, e cila duhet respektuar dhe garantuar. Pakënaqësitë e qytetarëve duhet të dëgjohen seriozisht e të vlerësohen me përgjegjësi dhe të marrin përgjigje konkrete nga institucionet, përmes transparencës, llogaridhënies dhe zbatimit të ligjit.

Njëkohësisht, besojmë se çdo konflikt politik e shoqëror duhet të gjejë zgjidhje përmes dialogut dhe mekanizmave kushtetues, duke përjashtuar pa kompromis ushtrimin e dhunës. Ndryshimi i pushtetit dhe përcaktimi i përfaqësimit politik duhet të burojnë nga vullneti i lirë i qytetarëve, i shprehur përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe procedurave demokratike.

U bëjmë thirrje institucioneve shtetërore, duke filluar nga Presidenti i Republikës, forcave politike, organizatorëve të protestave dhe qytetarëve, të bashkëveprojnë për zgjidhjen e situatës. Duhet urgjentisht të shmanget përshkallëzimi i tensioneve dhe i dhunës, duke kontribuar për një klimë mirëkuptimi e përgjegjësie publike.

Heshtja përballë problemeve nuk është zgjidhje, por as përplasja nuk mund të zëvendësojë dialogun. Nevojitet vullnet për të dëgjuar, përgjegjësi për të vepruar dhe respekt për ligjin nga të gjithë, pa përjashtim.

Në misionin tonë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, ne besojmë se një demokraci e shëndetshme është ajo që garanton njëkohësisht të drejtën për të protestuar, llogaridhënien e pushtetit dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.

Dënojmë pa kompromis çdo dhunë. Sot, më shumë se kurrë, duhet më shumë drejtësi, më shumë dialog dhe më shumë përgjegjësi. Ky duhet të jetë angazhimi ynë i përbashkët në interes të vendit dhe të qytetarëve.

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë

Kryetari

Prof. Dr. Maksim Haxhia

Tiranë, 18 tetor 2026

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb