Ervin Salianji ka reaguar përmes një postimi në Facebook kundër paketës fiskale 2027, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po rrit barrën tatimore mbi bizneset, sipërmarrjen dhe profesionet e lira.

Salianji e cilëson paketën e re fiskale si një goditje ndaj sipërmarrjes dhe punës, duke pretenduar se qeveria po ua faturon kostot e korrupsionit atyre që investojnë, punojnë dhe krijojnë vende pune.

Sipas tij, ndryshimet e parashikuara përfshijnë rritjen e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17%, tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, si dhe TVSH-së për turizmin nga 6% në 10%. Ai kundërshton gjithashtu uljen e pragut të TVSH-së nga 10 në 5 milionë lekë, që sipas tij do të përfshijë më shumë biznese të vogla në skemën e tatimit.

Ai thekson se bizneset nuk duhet të trajtohen si burim financimi për shpenzimet e qeverisë, ndërsa mbron punën, pronën dhe lirinë ekonomike si parime të së djathtës.

Reagimi:

Rama i shpall luftë sipërmarrjes, punés, bisnesit! Sa më shumë korrupsion aq më shumë taksa për biznesin, profesionet e lira, turizmin!

Paketa fiskale 2027 është një goditje ndaj sipërmarrjes, punës dhe njerëzve që rrezikojnë kapitalin e tyre për të ndërtuar diçka në këtë vend.

Rrit tatimin mbi fitimin nga 15% në 17%. Pothuajse dyfishon tatimin mbi dividendin, nga 8% në 15%. Rrit TVSH-në për turizmin nga 6% në 10%. Ul pragun e TVSH-së nga 10 në 5 milionë lekë, duke futur më shumë biznese të vogla në skemë.

Rama nuk po ndëshkon korrupsionin por e ka promovuar. Korrupsionin e qeverisjes së tij po ua faturon atyre që punojnë, investojnë dhe marrin përsipër rrezikun, qytetarëve që mbajnë shtetin!

Sa më shumë skandale, aq më shumë taksa. Sa më shumë shpërdorim të parasë publike, aq më shumë barrë mbi biznesin. Sa më shumë para që zhduken në aferat e pushtetit, aq më shumë para kërkon qeveria nga ata që i fitojnë me punë e sakrifica.

Faturën e korrupsionit të qeverisë e paguajnë njerëzit e ndershëm, ndërsa luksin e pushtetit e financojnë ata që punojnë!

Ky është modeli i një qeverisjeje që nuk di të frenojë korrupsionin, nuk di të ulë kostot dhe nuk di të krijojë kushte për zhvillim. Di vetëm të kërkojë më shumë nga ata që prodhojnë.

E djathta beson te puna, prona, sipërmarrja dhe liria ekonomike. Beson se fitimi i ligjshëm është shpërblim për rrezikun dhe iniciativën, jo një burim që qeveria mund ta shfrytëzojë sa herë i duhen para.

Biznesi nuk është bankomat i qeverisë. Sipërmarrësi nuk është fajtor pse punon dhe fiton. Qytetari nuk ka pse të paguajë faturën e abuzimit të pushtetit.

Shqipëria ka nevojë për një shtet që lufton korrupsionin, ul kostot, shpërblen punën dhe mbron ata që krijojnë pasuri e vende pune. Jo për një qeveri që ua merr frymën atyre që punojnë, për të mbajtur në këmbë një sistem gjithnjë e më të kushtueshëm për qytetarët.

Rama jep dorëheqjen!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: