Pakistani ka kryer sulme ajrore në territorin e Afganistanit, duke deklaruar se ka goditur baza dhe strehime të grupeve të armatosura në dy zona të vendit. Sipas autoriteteve pakistaneze, nga bombardimet janë vrarë rreth 22 militantë. Sulmet janë konfirmuar nga ministria pakistaneze e inteligjencës dhe kanë prekur provincat Kunar, në verilindje të Afganistanit, dhe Helmandin, në jug të vendit.
Por versioni i Kabulit është krejt tjetër. Zëdhënësi i qeverisë afgane, Zabihullah Mujahid, deklaroi se sulmet kanë shkaktuar viktima mes civilëve, duke vrarë të paktën nëntë gra dhe fëmijë dhe duke plagosur 11 persona të tjerë. Sipas Mujahid, bombardimet u kryen mbrëmjen e së mërkurës dhe shkatërruan tre banesa. Ai i dënoi sulmet, duke i cilësuar si shkelje të parimeve ndërkombëtare. Deri tani, pretendimet e palëve për numrin dhe identitetin e viktimave nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur nga mediat ndërkombëtare.
Sulmet vijnë në një periudhë të re tensioni mes Pakistanit dhe Afganistanit, pas rreth tre muajsh qetësi relative në marrëdhëniet mes dy vendeve. Islamabadi e akuzon Kabulin se lejon grupe të armatosura të përdorin territorin afgan si bazë për sulme kundër Pakistanit. Në qendër të akuzave janë veçanërisht talebanët pakistanezë të Tehrik-i-Taliban Pakistan (TTP), të cilët Pakistani i konsideron përgjegjës për një seri sulmesh ndërkufitare.
Qeveria afgane i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka kundërshtuar operacionet ushtarake të Pakistanit në territorin e saj. Autoritetet në Islamabad pretendojnë se objektivat e sulmeve ishin kampe dhe pika strehimi të grupeve të armatosura. Ndërsa Kabuli këmbëngul se janë goditur zona të banuara dhe se mes viktimave ka gra dhe fëmijë. Për momentin nuk ka një verifikim të pavarur për objektivat e goditura dhe numrin e viktimave, ndërsa përplasja e re rrezikon të rrisë më tej tensionet mes dy vendeve fqinje.
