Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas vendimeve të fundit të marra nga përfaqësues të sistemit të drejtësisë, që sipas tij bien ndesh me ligjin dhe interesin publik. Në një postim në Facebook, Rama akuzoi prokuroren Elsa Gjeli dhe gjyqtarin Hazbi Balliu për mbrojtje të ndërtuesve të paligjshëm, duke e cilësuar veprimtarinë e tyre si pjesë e “llogores së Antishtetit dhe Antiligjit”.
“Pas prokurores Gjeli, e cila nuk hapi hetime për një fshat turistik të ndërtuar pa leje në zemër të Thethit, dje u shfaq gjyqtari Balliu, i cili i ktheu një pallat të konfiskuar ndërtuesve të paligjshëm, duke vendosur masë sigurie në favor të tyre”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë shprehet se këto vendime janë një “thikë pas shpine” ndaj shtetit dhe qytetarëve të ndershëm, ndërsa kërkon reagim nga institucionet e pavarura të qeverisjes së drejtësisë, të cilat sipas tij po heshtin përballë abuzimeve.
“Ku janë institucionet e pavarura të qeverisjes së gjyqësorit? Ku ta kërkojmë ne llogarinë për thikat që Republika merr nga Gjelat e Ballinjtë brenda sistemit të drejtësisë?”, vijon reagimi i kryeministrit.
Ai rikujton se qytetarët i kanë dhënë një mandat të qartë për ta çuar vendin drejt anëtarësimit në BE dhe për ta bërë Shqipërinë një shtet të së drejtës deri në vitin 2030.
“Drejtësia vonon, por nuk harron”, e mbyll Rama mesazhin e tij, duke dhënë sinjale për vijimin e luftës politike e institucionale kundër segmenteve të drejtësisë që, sipas tij, janë ende të kapura nga e shkuara.
Reagimi i plotë:
(BalkanWeb)
