TIRANË- Partia Demokratike deklaron situata e rendit në vend është në gjendje dramatike, ku mungon çdo standard sigurie. Nënkryetari i PD, Edi Paloka tha se kryeministri Edi Rama po provon cdo ditë se prioriteti i tij nuk janë qytetarët dhe fatet e tyre, por garantimi i biznesit të drogës.

“Lajmet e përditshme për grabitjet, aksidentet me pasojë vdekje, vrasjet dhe kultivimi i drogës në cdo pëllëmbë të territorit, dëshmojnë gjendjen dramatike të rendit dhe shpartallimin e cdo standardi sigurie. Arratisja dje e një shtetasi turk në Rinas në sytë e policise kufitare dhe përpjekja për ta fshehur këtë skandal që doli në dritë falë denoncimit të Partisë Demokratike, është një tjetër konfirmim se Edi Rama ka hequr dorë nga detyrimi kryesor që ka si kryeministër në detyrë, për të ofruar rend e siguri. Edi Rama po provon cdo ditë se prioriteti i tij nuk janë qytetarët dhe fatet e tyre, por garantimi i biznesit të drogës”, deklaroi Paloka.

Sipas tij, në funksion të biznesit të drogës Edi Rama ka shtrirë inkriminim e drejtuesve të Policisë, sic raportohet edhe nga qytetarë dhe punonjës me integritet të Policisë së Shtetit.

“Drejtori i Qarkut Durrës, Perlat Cullhaj bashkë me shefin e Komisariatit Krujë, Erjon Ismaili drejtojnë dhe kontrollojnë territorin dhe trafikun e hashashit në gjithë malësitë e Krujës, duke vjelë 30% të parave për cdo rrënjë kanabis për shefin e madh në Tiranë. Ata kanë sigurisht një aleat të mirë për këtë biznes kriminal, që është kryetari i Bashkisë, Bushi i famshëm, i proceduar në Itali për trafik droge”, tha ai.

Numri dy i PD-së, theksoi më tej se Drejtori dhe shefi i policisë së Ramës, sigurojnë kalim të lirë të mallit për në Itali në Portin e Durrësit, përmes Drejtorit të kufirit, Boge Budini, dhe zëvendës drejtorit të Kufirit, Moisi Sula.

“Aranit Arapi, Drejtor i Qarkut të Gjirokastrës, vegla qorre e Ramës, gardiani besnik i plantacioneve dhe hambarit të madh të drogës që shtrihet në gjithë zonën, vecanërisht në vendlindjen e ministrit të brendshëm. Dritan Lenja është proceduar nga shërbimi i kontrollit të brendshëm për shkelje, abuzime dhe lidhje me narkotrafikun. Me lobimin e fuqishëm të Armando Prengës, ai vjen në krye të policisë së Qarkut të Lezhës, deputetit të Edi Ramës që gjakosi qytetarët në derën e komisariatit të Kurbinit.
Ndërsa kushëriri i afërt i Tahirit, që ishte drejtor në Lezhë, Alban Cela, shkon me ngritje, drejtor i Policisë së Qarkut Shkodër”, deklaroi Paloka.

Ai shtoi se ‘ky biznes kriminal po asfikson vendin dhe ekonominë e ndershme, për të pasuruar një grusht njerëzish që ndajnë paratë me Edi Ramën’.

“Ja pra sesi Edi Rama inkriminon Policinë e Shtetit, sipas nevojave të baronëve të drogës.
Ja pse Shqipëria është mbuluar nga droga si kurrë më parë. Ky biznes kriminal po asfikson vendin dhe ekonominë e ndershme, për të pasuruar një grusht njerëzish që ndajnë paratë me Edi Ramën.
Por droga nuk është zgjedhja e shqiptarëve. Nuk është e ardhmja e tyre. Shqiptarët meritojnë dhe do të kenë punë të ndershme, rend e siguri. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, përfundoi Paloka.

REAGIMI: KUR POLICIA ËSHTË KUNDËR KRIMIT, PD ËSHTË KUNDËR POLICISË
Pas akuzave të PD-së ka ardhur edhe reagimi i Policisë së Shtetit, e cila kërkon ndalimin e sulmit ndaj punës së saj.

“Policia e Shtetit i kërkon subjektit politik Partia Demokratike të ndalë luftën e përditshme politike kundër punës dhe rezultateve të saj.
Në respekt të opinionit publik, por edhe punës së pakursyer të trupës policore, rikujtojmë se politika nuk bëhet duke sulmuar policinë, por duke mbështetur përpjekjet e saj kundër krimit dhe paligjshmërisë.
Është shqetësuese përsëritja e përditshme e sulmeve dhe baltës kundër Policisë, në një kohë që Policia është përditë në betejë me krimin.
Kur Policia është kundër krimit, PD është kundër Policisë.
Edhe më shqetësues bëhet ky fakt, teksa rezultatet kundër kultivimit të drogës rriten. Kjo luftë që nisi në pranverën e 2014 në Lazarat e që vazhdon përditë edhe sot, është një histori suksesi që Policia e Shtetit po e shënon çdo ditë.
Policia e Shtetit fton PD-në të denoncojë në Prokurori çdo informacion që zotëron për kultivimin e narkotikëve si dhe për çdo person të implikuar. Kjo ndihmon shumë më tepër sesa balta e hedhur përditë mbi Policinë e Shtetit”, deklaron Policia e Shtetit.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb