Një ortek i fuqishëm është regjistruar pasditen e së enjtes në zonën e Valbonës, në Tropojë, duke sjellë pamje mbresëlënëse, por edhe shqetësuese nga Alpet shqiptare.
Pamjet janë realizuar nga Klubi Alpin Prishtina, i cili ka filmuar momentin kur një masë e madhe dëbore shkëputet nga mali dhe zbret me shpejtësi drejt luginës, duke krijuar një re të dendur të bardhë që mbulon të gjithë zonën. Videoja është publikuar në rrjetin social Facebook nga kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi, i cili e ka shoqëruar me një apel të fortë për sigurinë e vizitorëve në Alpet shqiptare.
“Reshjet e fundit të borës kanë rritur rrezikun e orteqeve. Kërkohet kujdes maksimal nga të gjithë vizitorët. Informohuni nga guida lokale. Shmangni zonat e rrezikuara. Respektoni udhëzimet e banorëve dhe autoriteteve. Pronarët e bujtinave të informojnë vizitorët për rreziqet aktuale. Siguria mbi gjithçka”, shkruan kryebashkiaku i Tropojës.
Nga pamjet shihet qartë forca e ortekut, i cili përhapet në një sipërfaqe të gjerë përgjatë shpatit të malit, duke treguar intensitet të konsiderueshëm të rrëshqitjes së masës së dëborës. Fatmirësisht, në zonën ku ka ndodhur orteku nuk ka banesa dhe nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme materiale.
