Kryetari i parlamentit Niko Peleshi po lexon projektligjet e ditës, ndërsa deputetët socialistë kanë ngritur kartonët, duke kaluar projektligjet e ditës.

Ndërsa Peleshi lexon ligjet në rend dite që pritet të miratohen, Kuvendi është mbushur përplot me tym.

Tymi ngjyrë blu është hedhur nga deputetët demokratë, që mbajnë në duar edhe pankarta, nga dhuna policore ndaj studentëve.

Po ashtu, deputetët e opozitës i bien edhe tavolinave, në shenjë proteste e revolte.

Që në fillim të seancës, deputetët e PD-së bllokuan Foltoren, duke detyruar kryetarin e seancës Niko Peleshi që të kërkojë pushim.

Edhe pas kthimit në seancë plenare, sërish situata në parlament ishte e njëjtë, me deputetët opozitarë që bllokuan sërish Foltoren. Peleshi i hoqi të drejtën e fjalës kreut demokrat Sali Berisha dhe përjashtoi katër deputetë të Partisë Demokratike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: