Dy tornado uji goditën zonën e Marsalës, në provincën e Trapanit, në Siçili të Italisë, duke shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesa, automjete dhe toka bujqësore. Mes objekteve të prekura ishte edhe shkolla “Alcide De Gasperi”, në zonën e Terrenove, ku në momentin e stuhisë ndodheshin 273 fëmijë. Drejtori i shkollës, Leonardo Gullotta, tha se ndërtesa ishte shkatërruar pothuajse plotësisht. Ai rrëfeu momentet e frikshme, kur stafi u detyrua të kërkonte një zonë më të sigurt brenda shkollës, pasi ishte e pamundur të dilnin jashtë.

“Për fat të mirë, falë ndërhyrjes së stafit, përfshirë edhe mua, arritëm të gjenim një zonë më të sigurt brenda shkollës, sepse nuk mund të largoheshim”, deklaroi Gullotta. Ai falënderoi ekipet e shpëtimit dhe bëri të ditur se familjet e fëmijëve janë informuar, ndërsa tashmë vëmendja është përqendruar te vlerësimi i dëmeve dhe rindërtimi.

Sipas të dhënave të raportuara nga autoritetet shëndetësore, në urgjencën e spitalit të Marsalës u paraqitën katër fëmijë dhe pesë të rritur, me prerje dhe gërvishtje. Gjashtë fëmijë nga shkolla “Alcide De Gasperi” pësuan lëndime të lehta, ndërsa disa prej tyre u dërguan në urgjencën e spitalit “Paolo Borsellino”.

Autoriteti Shëndetësor i Trapanit aktivizoi planin e brendshëm të emergjencës për të përballuar fluksin e të lënduarve. Për pacientët u vu në dispozicion edhe mbështetje psikologjike.

Ndërkohë, në zonën e Petrosinos, një automjet u godit nga një prej tornadove dhe përfundoi në një përrua. Dy personat që ndodheshin në makinë u dërguan në spital. Në operacionet e kërkim-shpëtimit u angazhuan pesë ekipe zjarrfikësish nga provinca e Trapanit, si dhe dy ekipe të tjera nga Santa Margherita Belice dhe Palermo. Në terren dolën gjithashtu Mbrojtja Civile, vullnetarë dhe personeli mjekësor i urgjencës 118.

Presidenti i Rajonit të Siçilisë, Renato Schifani, i cilësoi pamjet nga zona e goditur si tronditëse dhe shprehu shqetësimin për pasojat te banorët. Ai tha se ishte në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e Mbrojtjes Civile dhe kishte kërkuar ndërhyrje të menjëhershme, në koordinim me autoritetet vendore. Tornadot u formuan në det dhe më pas arritën në tokë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në zonat e Marsalës dhe Petrosinos.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: