Mediat rumune raportojnë detaje nga aksidenti e rëndë rrugor në rajonin Timiş, ku një furgon që udhëtonte nga Greqia drejt Francës u përplas me dy kamionë, duke shkaktuar vdekjen e shtatë personave.
Sipas raportimeve, furgoni transportonte dhjetë pasagjerë, të cilët dyshohet se ishin tifozë të klubit grek PAOK. Udhëtarët ishin nisur nga Katerini, ndërsa destinacioni i tyre ishte Franca.
Policia e Timiş bëri me dije se, nga verifikimet paraprake, rezulton se drejtuesi i furgonit tentoi të parakalonte. Gjatë përpjekjes për t’u rikthyer në korsinë e tij, mjeti u përplas fillimisht me një kamion cisternë dhe më pas me një kamion të tonazhit të rëndë (TIR), i cili po lëvizte në drejtim të kundërt.
Mediat rumune kanë publikuar edhe pamje video nga momenti i aksidentit, ku shihet përplasja fatale mes mjeteve. Sipas informacioneve, furgonët dhe autobusët që transportojnë tifozë të PAOK-ut drejt ndeshjeve evropiane zakonisht zgjedhin këtë itinerar – përmes Bullgarisë, Rumanisë dhe Hungarisë – për të shmangur pritjet e gjata në kufijtë e vendeve që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnja.
Burime mediatike bëjnë me dije se në furgon ndodheshin persona nga Shoqata e Miqve të PAOK-ut në Aleksandria (Imathia), SF Katerini, si dhe një tifoz nga Selaniku. Hetimet për shkaqet e aksidentit vijojnë.
