LIBRAZHD- Në Dorëz të Librazhdit gjatë kësaj fundjave u çel panairi i prodhimeve bio i cili sipas organizatorëve ka për qëllim ndërgjegjësimin e konsumatorit për mënyrën e ushqyerjes si dhe promovimin e këtyre produkteve mjaft cilësore të tregut vendas.

Dorëzi ishte epiqendra e panairit, si dhe mikpritësi i dhjetëra qytetarëve nga qyteti i Librazhdit dhe zonat përreth.

Panairi ishte konceptuar si panair i produkteve agroushqimore të zonës, dhe ndërkaq ai ka shërbyer për të promovuar produktet bio, vlerat turistike të kësaj zone, por edhe për t’u argëtuar pjesëmarrësit. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin deputeti Taulant Balla; kryebashkiaku i Librazhdit, Kastriot Gurra’administratori i njësisë administrative; si e shumë qytetarë të tjerë, të cilët janë joshur nga bukuritë e natyrës dhe produktet bujqësore dhe blegtorale të zonës.

Në fjalën e tij përshëndetëse në çelje të panairit, deputeti socialist i Librazhdit, Tauant Balla, e ka vlerësuar këtë organizim si një nga mënyrat më të mira për të promovuar vlerat reale të zonës si produktet bio, vlerat kulturore të saj, si dhe vlerat turistike të zonës të Dorëzit, dhe jo vetëm.
Balla deklaroi se Librazhdi i cili ka bukuri të shumta natyrore do të kthehet së afërmi në një nga destinacionet më të rëndësishëm të turizmit malor.

Gjithashtu të pranishmit i ka përshëndetur edhe kryetari i bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra, i cili në fjalën e tij tha se në prioritetet e qeverisë vendore janë nxitja e aktiviteteve si ky i sotmi, që kanë si qëllim t’i bëjnë këto zona më të njohura edhe për turistët e huaj.

Kryebashkiaku Gurra kërkoi që organizime të tilla të kthehen në traditë të përvitshme për të gjitha njësitë administrative të Librazhdit që kanë potenciale turistike dhe agro-bujqësore.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb