Autoritetet kanadeze i kërkojnë kompanisë ajrore indiane, Air India të hetojë një incident të një piloti i cili u nxor nga avioni para se të nisej nga pista, dhe u konstatua nën efektet e alkoolit.
Dy testet e kryera nga policia kanadeze në Aeroportin Ndërkombëtar të Vankuverit treguan se piloti ishte i papërshtatshëm për të ushtruar detyrën, thanë burimet.
Incidenti u konsiderua si një “çështje serioze” nga autoritetet e Kanadasë të cilat kanë gjasa të ndërmarrin veprime zbatuese ndaj Air India.
Në një deklaratë, Air India tha se fluturimi nga Vankuveri për në Delhi më 23 dhjetor pësoi një vonesë të minutës së fundit për shkak të incidentit, duke shtuar se një pilot alternativ u soll për të operuar fluturimin.
Kompania ajrore tha se autoritetet kanadeze ngritën shqetësime në lidhje me aftësinë e pilotit për të vijuar detyrën, por nuk dhanë detaje.
“Piloti është hequr nga detyrat e fluturimit gjatë procesit të hetimit. Air India mban një politikë tolerance zero ndaj çdo shkeljeje të rregullave dhe rregulloreve në fuqi”, tha Air India./ Reuters
