Qytetarët në Rusi dhe Ukrainë janë përballur me panik pas një sulmi masiv kibernetik që goditi aplikacionet e paralajmërimit të emergjencave në të dyja vendet. Përdoruesit morën njoftime të rreme për rrezik rrezatimi, sulme bërthamore dhe kërcënime kimike, ndërsa autoritetet u detyruan të dilnin me deklarata për të qetësuar popullatën. Problemet e para u raportuan në Ukrainë, ku aplikacioni që përdoret për njoftimin e sulmeve ajrore shfaqi alarme për rritje të nivelit të rrezatimit në Kiev dhe zona të tjera të vendit. Forcat Ajrore ukrainase konfirmuan se aplikacioni ishte komprometuar, duke theksuar se nuk kishte asnjë kërcënim real nga rrezatimi.
“Aplikacioni i paralajmërimit për sulme ajrore duket se është kompromentuar. Nuk ka kërcënim nga rrezatimi! Qëndroni të qetë dhe ndiqni përditësimet tona”, njoftuan Forcat Ajrore në Telegram. Zëdhënësi i tyre, Yuriy Ignat, konfirmoi se bëhej fjalë për një sulm kibernetik. Për një periudhë të shkurtër, përdoruesit morën disa njoftime alarmante, përfshirë paralajmërime për një alarm bërthamor në të gjithë Ukrainën, një kërcënim kimik në Kiev dhe madje edhe për luftime në rrugët e kryeqytetit.
Mesazhet nisën të mbërrinin rreth orës 22:47 të së dielës, sipas kohës lokale. Njëri prej tyre paralajmëronte për rrezik rrezatimi në Kiev, ndërsa një tjetër përmendte raketën ruse Oreshnik. Pak më vonë, qytetarët u njoftuan se alarmet kishin përfunduar. Situata u përshkallëzua edhe në Rusi, ku Ministria e Emergjencave njoftoi se aplikacioni i saj ishte goditur nga një “sulm masiv kibernetik”, përmes të cilit po shpërndaheshin informacione të rreme për qytetarët. Në një prej mesazheve, përdoruesit paralajmëroheshin se dronët ukrainas kishin lëshuar koka bërthamore drejt të gjitha rajoneve të Rusisë. Qytetarëve u kërkohej të siguronin ushqime për tre javë dhe të strehoheshin në bodrume. “Kokat bërthamore janë lëshuar me transportuesit P1-SUN në të gjitha rajonet e Rusisë! Furnizohuni urgjentisht me ushqime për tre javë dhe fshihuni në bodrumin tuaj”, thuhej në njoftimin e rremë.

Mesazhe të tilla u raportuan në Moskë, Shën Petersburg, Belgorod, Nizhny Novgorod, Tyumen, Tula, Chelyabinsk dhe disa rajone të tjera. P1-SUN është një dron ukrainas interceptues, pa kapacitete bërthamore, i projektuar për të rrëzuar dronët rusë. Ministria ruse deklaroi se po punonte për rikthimin e aplikacionit, ndërsa siguroi qytetarët se sistemet e tjera të paralajmërimit, përfshirë sirenat, altoparlantët, televizionin dhe radion, nuk ishin prekur nga sulmi. Nuk është konfirmuar nëse sulmet ndaj aplikacioneve ruse dhe ukrainase kanë lidhje me njëri-tjetrin. Ukraina fajësoi Rusinë për sulmin ndaj aplikacionit të saj, ndërsa Moska nuk identifikoi autorët e sulmit ndaj sistemit rus. Qendra ukrainase për Komunikime Strategjike, SPRAVDI, pretendoi se një prej mesazheve të rreme përmbante edhe një referencë në gjuhën ruse për raketën Oreshnik.
Sulmet kibernetike pas përfundimit të armëpushimit
Incidentet ndodhën në një moment të tensionuar, vetëm pak para përfundimit të një armëpushimi gjashtëditor në zonën e qytetit Oleshky, në rajonin e Khersonit, i cili ndodhet nën pushtimin rus. Armëpushimi, që hyri në fuqi më 27 tetor dhe përfundoi më 1 nëntor, mundësoi zhvillimin e një operacioni humanitar për evakuimin e civilëve nga qyteti. Sipas raportimeve, qindra banorë arritën të largoheshin drejt territoreve të kontrolluara nga Ukraina. Komisioneri ukrainas për të Drejtat e Njeriut, Dmytro Lubinets, e cilësoi marrëveshjen një hap të rëndësishëm në përpjekjet humanitare mes dy vendeve. Ndërkohë, Rusia dhe Ukraina vijuan shkëmbimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike. Moska pretendoi se kishte goditur një anije mallrash që transportonte materiale për ushtrinë ukrainase në jug të Odesës, si dhe një zonë magazinimi për sistemet raketore ukrainase.
Nga ana tjetër, autoritetet ukrainase raportuan për sulme ruse ndaj infrastrukturës energjetike, të cilat shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike në disa rajone të vendit, përfshirë kryeqytetin Kiev. Ndërsa lufta mes dy vendeve vijon në vitin e saj të pestë, sulmi ndaj sistemeve të paralajmërimit ka ngritur shqetësime të reja për sigurinë e civilëve, të cilët mbështeten te këto aplikacione për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore dhe raketore.
