Avokati Marash Logu ka reaguar pas rrethimit të ambienteve të medias News24 dhe ndërprerjes së punës së gazetarëve, duke e cilësuar këtë veprim si një akt të pastër censurimi.

Sipas tij, Panorama Group sh.a., kompania që administron News24, ka një kontratë qiraje të vlefshme deri më 9 maj 2033, për pronën me nr. 10/304, Zona Kadastrale 8170, me sipërfaqe 15 mijë m², nga të cilat 5858 m² janë ndërtesë, me vlerë mujore qiraje 15 mijë euro.

Logu thekson se vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 158/2025, i cili i kalon shoqërisë KAYO sh.a. katër prona në të njëjtën zonë kadastrale, nuk përfshin pasurinë me nr. 10/304.

“Pse duhet që KAYO sh.a., e drejtuar nga Ardi Veliu, me mbështetjen e Policisë së Shtetit, të nxjerrë gazetarët nga godina, të ndërpresë sinjalin dhe të sekuestrojë pajisjet, kur kontrata e qirasë është ende në fuqi dhe prona nuk i është kaluar asaj shoqërie?”, pyet Logu.

Ai shton se e vetmja përgjigje për këtë veprim është “synimi për të mbyllur gojën e gazetarëve të News24 dhe për të shuar zërin e tyre kritik”, duke e cilësuar aksionin si të paligjshëm dhe politikisht të motivuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb