Papa Leone XIV i ka drejtuar një letër falënderimi Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Joanit, për praninë dhe mbështetjen e tij gjatë Liturgjisë solemne të përurimit të papatit të ri, më 18 maj në Vatikan.
Në letrën zyrtare, Papa Leone XIV shpreh “mirënjohjen e thellë për afërsinë vëllazërore dhe dashurinë e treguar”, duke vlerësuar pjesëmarrjen e Kryepeshkopit Joan dhe delegacionit shqiptar si një simbol të fuqishëm të “unitetit të besimit dhe vëllazërisë së krishterë”.
“Pjesëmarrja juaj më preku thellë… është shenjë treguese e unitetit të krishterë”, shkruan Ati i Shenjtë, duke shtuar se lutjet dhe mbështetja nga bashkëpunëtorët shpirtërorë janë të domosdoshme për shërbesën e tij si Peshkop i Romës dhe Pasardhës i Shën Pjetrit.
Në vijim, Papa Leone XIV thekson nevojën për të forcuar përkushtimin e përbashkët për unitet, pajtim dhe harmoni në një botë gjithnjë e më të përçarë. “Le ta ripërtërijmë përkushtimin tonë për të nxitur unitetin ndërmjet të gjithë të krishterëve… dhe të punojmë së bashku për pajtim në botën tonë”, thekson ai, duke cituar vargje nga Zbulesa dhe Ungjilli sipas Gjonit.
Letra përfundon me një përqafim të ngrohtë shpirtëror dhe lutje për paqen dhe gëzimin e Krishtit për vëllanë e tij në besim, Kryepeshkopin Joan. Kjo korrespondencë zyrtare konfirmon marrëdhëniet e ngrohta mes Selisë së Shenjtë dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, në frymën e dialogut dhe bashkëpunimit ndërfetar.
Letra e Atit të Shenjtë:
Fortlumturisë së tij, Joanit,
Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë
Këto ditë, pas përurimit të shërbesës sime si Peshkop i Romës dhe Pasardhës i Pjetrit, po ju shkruaj për t’ju shprehur mirënjohjen e thellë për afërsinë tuaj vëllazërore dhe për dashurinë që treguat kur morët pjesë, bashkë me delegacionin tuaj të nderuar, në Liturgjinë solemne në Vatikan, të dielën, më 18 maj. Pjesëmarrja juaj më preku thellë, sepse është shenjë treguese e vëllazërisë së krishterë dhe e unitetit të besimit.
Si një bashkëshërbëtor në vreshtin e Zotit, ju kërkoj me dashamirësi të vazhdoni të më mbështesni përmes lutjeve tuaja, që Perëndia i Plotfuqishëm të më forcojë t’i shërbej atij dhe popullit të tij të shenjtë. Ndërsa dëgjojmë së bashku se çfarë i thotë Shpirti i Shenjtë kishave (Zbulesa 2:7), le ta ripërtërijmë përkushtimin tonë për të nxitur unitetin ndërmjet të gjithë të krishterëve, duke iu bindur vullnetit të Zotit Jezu ( Jn. 17:21), dhe të punojmë së bashku në mënyrë më të frytshme për pajtim dhe harmoni në botën tonë të përçarë.
Me këto ndjenja, vëlla i dashur, ju përqafoj ngrohtësisht me gëzimin dhe paqen e Krishtit, Shpëtimtarit tonë.
Vatikan, 17 qershor 2025
