Protesta e qytetarëve kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama vijon edhe këtë të hënë, duke hyrë në ditën e 128-të radhazi.

Pas më shumë se katër muajsh tubime të përditshme, protestuesit pritet të mblidhen sërish në qendër të Tiranës, duke vijuar aksionin e nisur prej muajsh me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Ashtu si në protestat e ditëve të fundit, qytetarët pritet të organizohen fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas të marshojnë drejt Kryeministrisë. Krahas largimit të Ramës, ndër kërkesat e artikuluara nga protestuesit janë krijimi i një qeverie teknike tranzitore dhe ndryshime në sistemin politik.

Protesta e 128-të vjen një ditë pas tubimit të së dielës, kur qytetarë dhe aktivistë marshuan nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, nën thirrjet “Rama jep dorëheqjen”. Protestuesit deklaruan se do ta vijojnë qëndresën dhe u bënë thirrje qytetarëve të tjerë t’i bashkohen protestës.
Aktivisti Mirjan Aliaj, gjatë protestës së 127-të kundër qeverisë, foli për protestat e paralajmëruara për sot. Sipas tij, protestat do të zhvillohen para Kryesisë së Kuvendit, ndërsa një tjetër tubim është paralajmëruar në orën 15:00 pranë Parlamentit.

Gjatë tubimit të 127-të pati edhe mesazhe nga përfaqësues të diasporës, ndërsa një pjesë e protestuesve ngritën akuza ndaj qeverisë për korrupsion dhe kërkuan veprimin e drejtësisë ndaj zyrtarëve të lartë.

Edhe një ditë më herët, në protestën e 126-të, pas qëndrimit përpara Kryeministrisë, qytetarët marshuan në disa prej rrugëve të Tiranës. Në përfundim të tubimit ata paralajmëruan vijimin e protestave dhe kërkuan një pjesëmarrje më të madhe në ditët në vazhdim.

Ndërkohë, është paralajmëruar edhe një protestë më e madhe më 13 tetor, me fokus pjesëmarrjen e studentëve dhe të rinjve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb