Rusia dhe Ukraina sot shkëmbyen të burgosur të rinj lufte, njoftuan Ministria ruse e Mbrojtjes dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në prag të samitit të shumëpritur midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan Donald Trump në Alaska. 

“84 ushtarakë rusë u kthyen nga territoret e kontrolluara nga regjimi i Kievit. Në këmbim, 84 të burgosur lufte u dorëzuan nga forcat e armatosura ukrainase “, theksoi ministria ruse

Zelensky , nga ana e tij, tha se 84 të burgosur lufte, përfshirë civilë, të cilët ishin mbajtur për gati një dekadë, ishin kthyer në Ukrainë. “Midis civilëve të liruar sot janë ata që u mbajtën nga rusët që nga viti 2014, 2016 dhe 2017 ”, shkroi presidenti ukrainas në një postim në X.

Shkëmbimi i të burgosurve dhe trupave të ushtarëve të vdekur është një nga fushat e pakta ku Moska dhe Kievi vazhdojnë të bashkëpunojnë, më shumë se 3.5 vjet pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës. 

Të dy palët kanë shkëmbyer mijëra të burgosur këtë vit, bazuar në marrëveshjet e arritura gjatë tre raundeve të bisedimeve të drejtpërdrejta në Stamboll nga maji deri në korrik. Megjithatë, këto shkëmbime ishin rezultati i vetëm i prekshëm i këtyre takimeve.

(BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb