Me një paradë kungujsh nga më të çuditshmit përgjatë gjithë Pedonales së qytetit është përcjellë sot në Berat “Halloweeni”, dita e rikthimit të shpirtrave të vdekur, shtrigave me fshesë, maceve të zeza, errësirës dhe çdo gjëje të frikshme. Edhe pse këtë vit kjo festë nuk mundi të organizohej për shkak të situatës së rënduar pandemike, kjo nuk i ndaloi të rinjtë beratas ta sjellin si një risi ndryshe “halloweenin” edhe këtë vit në qytetin e një mbi një dritareve.

“Kungulli më i çuditshëm” u quajt iniciativa e të rinjve beratas, të cilët kanë ekspozuar që prej orëve të para të mëngjesit përgjatë Pedonales së qytetit kunguj të personalizuar, të përmasave nga më të ndryshme dhe të ndriçuar nga brenda. Edhe figura të shumëllojshme e nga më të çuditshmet ishin elementë mbizotërues të kësaj parade “halloweeni” të shtrirë gjatë gjithë bulevardit. Kjo risi e improvizuar nga fëmijët beratas, duke filluar nga ata të kopshteve e deri tek nxënësit e shkollave të mesme, ka qenë një surprizë e bukur për të gjithë beratasit e sidomos fëmijët e vegjël që janë çuditur nga “kungujt” dhe kanë vërshuar t’i prekin e të luajnë me ta.

Drejtoresha e Arsimit, Kulturës e Rinisë në bashkinë Berat, Majlinda Mahmutaj, ka pohuar se, kjo iniciativë e fëmijëve e të rinjve beratas për të festuar në këtë mënyrë “halloweenin”, kishte për qëllim daljen nga rutina e përditshme dhe monotonia lodhëse e mësimeve me turne dhe përçimin e sa më shuma ngjyrave në këtë ditë vjeshte në qytet. Pjesëmarrësit e këtij organizimi u vlerësuan me çmime sipas stilit të dizenjimit, mesazhit të përcjellë dhe larmishmërisë së temave të përzgjedhura.

Halloweeni, kjo festë e lindur në Irlandë 2000 vjet më parë është kthyer në festë ndërkombëtare dhe prej disa vitesh festohet edhe në Shqipëri. Legjendat dhe supersticionet për zhdukjen e shpirtrave janë nga më të ndryshmet në çdo shtet por traditat e kësaj feste janë të njëjta, ku karakteristikë është “kungulli” dhe veshjet e frikshme të skeleteve, shpirtrave të vdekur, shtrigave etj.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb