Qëkurse Ervin Salianji nisi takimet së pari në rreth të ngushtë, e më pas nëpër sallat e mbushura me anëtarë dhe simpatizantë të pakënaqur me udhëheqjen e PD, Berisha i është përgjigjur atij përmes gabimeve të njëpasnjëshme. Disa syresh janë gabime të vjetra e të përsëritura, ndërsa disa të tjera të reja, që po e zhysin përditë e më shumë në pozitë mbrojtëse e jo sulmuese. E kur mbyllesh në mbrojtje, psikologjikisht tregon frikë, pafuqi e panik. Kjo po ndodh sa për faj të vetë Berishës e po aq për meritë të Salianjit që ka dalë në kohën e duhur në betejë. Por cilat janë gabimet e Berishës që po dobësojnë atë vetë e po rrisin atë që po e sfidon? Ato janë disa. Por le ta nisim me gabimet e përsëritura nga ai vetë e akoma më keq nga Basha që mesa duket i kishte huazuar nga mentori i tij.

Së pari, sa herë që dikush në PD ka kërkuar që të hiqet dorë nga drejtimi autokratik i PD, është përballur me retorikën Berishiste të etiketimit si “të shitur dhe tradhtarë”. Që nga Konferenca e Jashtëzakonshme e 1992 ku u përjashtuan Mocionistët, për të vazhduar me Selamin, grupin e Pollos, Topit, e deri tek ata që kërkuan largimin e Bashës në 2017 dhe 2021. I vetmi kundërshtar i kryetarit fuqiplotë që nuk u etiketua si i “shitur e tradhtar“ ishte vetë Berisha kur organizoi Foltoren kundër Bashës. Paradoks natyrisht, por jo rastësi. Dhe sa për pak humor të zi, në grupin e parë të “armiqve” bënte pjesë dhe vetë Azem Hajdari. Autokratët nuk njohin histori pasi e shkruajnë vetë atë siç duan, ndaj janë një dorë që nuk ndalet para asgjëje. Akuzat ndaj Salianjit fjala vjen për mbështetje nga krimi në takimet nëpër rrethe, janë edhe qesharake po të mos harrojmë që Salianji për Berishën ishte viktimë e regjimit të Ramës dhe i burgosur politik. Por ditën që njoftoi foltoret, u shndërruar nga viktimë në ortak të regjimit, e nga i dënuar politik në partner të inkuizitorëve.

Paradoksi i dytë ka të bëjë me cënimin e parimeve që gdhendi vetë Berisha në akullin e foltores së 2021, e që u shkrinë bashkë me të. Nga meritokracia tek përfaqësimi, nga karriera tek decentralizimi i vendimmarrjes e mbi të gjitha nga dorëheqja në rast humbjeje tek saldimi në karrige në rast disfate. Këto çudira inkoherence që i dëgjon vetëm në PD-në e urrejtjes ndaj të vërtetave të mëdha, e kanë bërë Berishën vulnerabël dhe qesharak. Sepse është një gjë të hubësh sic humbi Basha dhe një tjetër të zhgënjesh siç po bën Berisha. Nëse Basha gënjeu për fitoret, Berisha po zhgënjen me humbjet. E në fakt një pjesë e atyre që mbështetën rikthimin e tij, mendonin se historia do përsëritej si në 1992 dhe 2005, duke harruar se ishin në 2021 e tashmë në 2025. E nëse hapsira edhe mund të ketë kufij, koha rrjedh pa ndalim. Thjeshtë nuk ndalet e për më tepër ndryshon dhe perceptimin për njerëzit e ngjarjet. E po të shtojmë se historia nuk përsëritet kurrë në mënyrë identike e më keq akoma me të njëjtat personazhe, atëherë ëndrra për fitore të PD me Berishën në krye ishte thjeshtë një iluzion fëminor. Ndaj mos mbajtja e premtimeve por rishfaqja e veseve e kanë vënë udhëheqjen e PD në situatë paradoksale.

Së treti, ç’ka lidhet dhe me arsyen e dytë të paradoksalitetit të Berishës, ngrihet akuzë se Lëvizja e Salianjit saboton sipas Berishës e të tijve betejën me rregjimin. A thua se e kanë bërë Ramën rezil në zgjedhje e u ka mbetur një e shtyrë e fundit për t’i dhënë dërmën! Ky nuk është paradoks por gallatë mediokër. Në të katër proceset zgjedhore ku PD ka marrë pjesë pas 2021, janë humbur keq e më keq si zgjedhjet në rang komëtar e ato të pjeshme në disa bashki. Biles duhet thënë se kurba elektorale ka ardhur në rënie deri në pikiatën sociopatike të 9 nëntorit, ku “shndrrin” Vlora me 2.8% të votave. E pra, për cilën betejë e ka fjalën Berisha? Apo për atë të sheshit para kryeministrisë, ku konkuron rrotë më rrotë me Adriatik Dajkon se kush mbledh me pak njerëz. Kur PD-së nuk i dalin në foltoret e të hënave as gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar, jo vetëm që nuk sulmon dot Salianjin si “sabotator të revolucionit”, por rrezik i mbush mendjen dhe Flamur Nokës se kjo punë ka marrë fund.

Paradoksi i tretë që më shumë i ngjan një gënjeshtare të trashë ka të bëjë me SPAK dhe ndërkombëtarët. Është e vërtetë që Rama është nën sulm total të drejtësisë dhe ftohje apo goditje sistematike ndërkombëtare. Por është po aq e vërtetë se vetë Berisha është ende në gjykim për një çështje si ajo e Klubit Partizani e po i vijnë rrotull nja dy çështje të tjera penale si Gërdeci dhe 21 Janari. Më keq akoma paradoksi thellohet në raport me ndërkombëtarët. Sa ç’është e vërtetë vetmia e madhe e Ramës apo ndëshkimet financiare që po i vijnë nga BE për fondet e bujqësisë dhe Teknologjisë së Informacionit, po aq e vërtetë është se Berisha mbetet person non-grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, pavarësisht nga lobimi shumë i përfolur. Të vetmet “karamele” që ka hedhur në tregun e propagandës për të mbajtur me gajret ata mbështetës që i kanë mbetur, janë nja dy anëtarësime dhe zgjedhje në forume partishë të djathta që kanë vlerë për administratën amerikane po aq sa organizata baze e koperativës Krutje njëherë e një kohë.

Por paradokset nuk mbarojnë këtu. Është dhe një i fundit dhe më alucinanti nga të gjithë. Vetëpërjashtimi i Salianjit. Një term që nuk gjëndet as në fjalorin shqip-shqip e jo më në Statutin e Partisë Demokratike, pasi i zoti i punës, pra Salianji jo vetëm që nuk është vetëpërjashtuar, por as nuk ka ndërmend të përjashtojë Berishën si humbës serial që nga 2023 e këtej.

Dhe e fundit për nga renditja por jo nga rëndësia, është edhe përbërja e grupit të avokatëve publikë të Berishës që janë hedhur në sulm kundër Salianjit. Janë një grup ose rrogëtarësh të një media ku njëri aksioner paguan qiranë, tjetri gazetarët e i fundit shoferët, ose ca “skifterë” ndër të cilët shkëlqen Alfred Lela, që aktin më heroik në karrierën e tij ka uljen e pantallonave përballë Ramës.

Mjafton kaq për të kuptuar se paradokset me të cilat Berisha ka rrethuar veten, janë argumenta të mjaftueshëm që shumë anëtarë dhe simpatizantë të PD të zgjedhin takimet politike të Salianjit dhe jo kafet e vakive të Berishës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: