Procedura emergjente e hapur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për menaxhimin e situatës së rrëshqitjeve në zonën e Librazhdit ka përfunduar me shpalljen fituese të së njëjtës kompani që po kryente punimet në aksin ku ndodhën shembjet. Bëhet fjalë për kompaninë “A.N.K.”, në pronësi të Agim Kolës, e cila është aktualisht e angazhuar në ndërtimin e rrugës së re, punime që lidhen me bllokimin për disa ditë të zonës për shkak të rrëshqitjeve. Në mënyrë paradoksale, e njëjta kompani ka përfituar një kontratë të re në kuadër të ndërhyrjes emergjente për riparimin e situatës së krijuar.
Sipas dokumenteve zyrtare, procedura është zhvilluar përmes negocimit pa shpallje paraprake, çka nënkupton se drejtuesit e rinj të ARRSH-së, të kryesuar nga Ami Kozeli, kanë negociuar drejtpërdrejt me operatorët ekonomikë për realizimin e ndërhyrjes. Kontrata ka si objekt marrjen e masave parandaluese në zonën e njohur si “Ligata e Bicit” në Dragostunjë, me një fond limit prej 93.7 milionë lekësh pa TVSH dhe një afat zbatimi prej rreth dy muajsh e gjysmë. Në garë rezulton se kanë marrë pjesë dy kompani: “A.N.K.” me ofertë rreth 88.4 milionë lekë dhe “2 T” me një ofertë pranë fondit limit. Diferenca e vogël mes ofertave ka ngritur pikëpyetje mbi konkurrencën reale në këtë procedurë, ndërsa dyshimet shtohen nga fakti se të dyja kompanitë janë përmendur më parë në lidhje me problematika të ngjashme infrastrukturore.
Ndërkohë, situata ka nxitur diskutime edhe mbi përgjegjësitë institucionale, pasi rrëshqitjet në këtë aks lanë të izoluar për disa ditë mijëra banorë, duke i detyruar të përshkojnë rrugë alternative shumë më të gjata për të arritur në Tiranë apo qytete të tjera.
Në fokus të debatit është edhe fakti nëse ekziston një hetim nga Prokuroria e Elbasanit për këtë çështje, si dhe nëse kompanitë e përfshira, përfshirë “A.N.K.”, duhet të mbajnë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara. Kujtojmë se në fund të vitit 2023, ARRSH, atëherë nën drejtimin e Evis Berberi, shpalli “A.N.K.” fituese të një tenderi të madh për ndërtimin e një segmenti rrugor në këtë zonë, me vlerë rreth 2.5 miliardë lekë. Kontrata për këtë projekt u lidh në vitin 2024 dhe parashikon një afat zbatimi prej 24 muajsh. Kompania në fjalë, e cila ka realizuar edhe projekte të tjera infrastrukturore si segmenti Korçë–Ersekë, është përballur më herët me situata të ngjashme rrëshqitjesh, çka ka rritur shqetësimet mbi cilësinë e punimeve dhe mbikëqyrjen institucionale në projektet publike.



