Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazment Oketa, shprehet skeptik se Partia Demokratike mund të vijë në pushtet përmes protestave, duke theksuar se situata politike në vend paraqet një “paradoks të madh”.

Sipas Oketës, ndonëse qeveria akuzohet për nivele të larta korrupsioni – një fakt që, sipas tij, pranohet edhe nga një pjesë e vetë socialistëve jashtë deklaratave publike – kjo nuk është shoqëruar me reagim të fortë popullor apo revolta.

Ai kujton për “Kjo javë” në News24 zgjedhjet e vitit 2005 dhe sloganin “me duar të pastra”, duke theksuar se besueshmëria e opozitës është kusht thelbësor për rotacion politik. “Kushti i parë ishte që opozita të ishte e pastër. Sot kjo e bën më të vështirë ndryshimin”, nënvizon ai. Në deklaratat e tij, Oketa akuzon kryeministrin Edi Rama për lidhje me elementë kriminalë dhe ndikim në proceset zgjedhore, duke përmendur edhe raste të denoncuara publikisht dhe hetime të nisura nga SPAK.

Ai shton se në disa raste deputetë pak të njohur kanë arritur rezultate të larta në zgjedhje, gjë që sipas tij ngre dyshime për ndërhyrje dhe blerje votash. “Është e pamundur të arrihen këto rezultate pa mbështetje nga struktura kriminale”, deklaroi Oketa. Në përfundim, Oketa thekson se në këto kushte mbetet e paqartë se si mund të vijë ndryshimi politik, duke lënë të kuptohet se protestat e vetme nuk janë të mjaftueshme për rotacion pushteti.

“Ky është paradoksi më i madh në këtë vend. Ne kemi një qeveri super të korruptuar. Edhe vetë një pjesë e socialistëve, jashtë ekraneve apo biseda, socialistët, jo rilindasit e pranojnë këtë fakt. Korrupsioni është në shifrat galopante dhe paradoksi tjetër kjo nuk kthehet në revolta popullore. Nëse i kthehemi sloganit të 2005, ishte; ‘Me duar të pastra’. Kushti i parë i opozitës asokohe ishte; unë jam me duar të pastra. Ndaj shansi për rrotacion vështirësohet. Zoti Rama ka bërë aleancë me të gjithë botën e krimit, ata emërojnë deputetë. I keni denoncuar ju si media, janë disa procese në SPAK. Ke deputetë që si njeh askush dhe kanë thyer rekord votash. Është e pamundur, nëse nuk ke suport të botës së krimit, për blerjen e votave. Kjo situatë nuk e di si do të shkojë.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb