Fjala paragjykim përbëhet nga parashtesa “para-”, që do të thotë përpara, dhe fjala “gjykim”, që nënkupton vlerësim ose formim mendimi. Pra, paragjykimi do të thotë të gjykosh përpara se të njohësh faktet, të krijosh një mendim pa e kuptuar plotësisht realitetin. Është një qëndrim i nxituar, i ndërtuar mbi hamendësime dhe jo mbi të vërteta të provuara.

Paragjykimi shfaqet shpesh në jetën e përditshme. Ne mund të paragjykojmë dikë nga pamja e jashtme, nga mënyra si vishet, nga vendi prej nga vjen apo nga mënyra si flet.. Kjo tregon se paragjykimi nuk bazohet në fakte por në ide të gatshme që qarkullojnë në shoqëri.

Ne ndeshemi me të në shumë situata të jetës së përditshme dhe ka disa arsye pse ai lind.

Së pari, paragjykimi lind nga mungesa e njohjes . Mungesa e informacionit rreth një personi apo një grupi njerëzish, na shtyn instiktivisht të mbështetemi te ato që kemi dëgjuar nga të tjerët. Në vend që të krijojmë një opinion nga përvoja personale, ne marrim si të mirëqena mendimet e gatshme të shoqërisë.

Mungesa e informacionit nuk është thjesht “mosdije”. Ajo mund të krijojë pasoja reale në vendimmarrje, siguri dhe marrëdhënie.

Kur informacioni është i paplotë ne marrim vendime të nxituara, bazohemi në hamendësime ose thashetheme, duke u bërë kështu, pre e manipulimit dhe dezinformimit.

Në mungesë të informacionit të saktë bëhemi më të prekshëm ndaj propagandës e lajmeve të rreme.

Këtu gjen vend dhe zhvillohet frika ndaj teorive konspirative.

Vetëm duke verifikuar burimet e informacionit, duke kërkuar më shumë se një të tillë, duke zhvilluar mendimin personal kritik, do të shmangim paragjykimin.

Së dyti, ai vjen si pasojë e frikës ndaj së panjohurës. Njerëzit shpesh ndihen të pasigurt përballë asaj që është ndryshe nga ata, qoftë kjo në kulturë, fe, mënyrën e jetesës apo thjesht pamjen e jashtme. Kjo frikë mund të kthehet në qëndrim negativ. Edhe pse një reagim shumë i zakonshëm njerëzor,( një instinkt mbijetese, meqënëse truri ynë është programuar të kërkojë siguri), e panjohura mund të perceptohet si kërcënim.Ajo lind kur përballemi me situata, njerëz apo ndryshime që nuk i kuptojmë ose nuk i kontrollojmë dot. Ajo çfarë duhet të kemi gjithmonë parasysh është fakti që e panjohura nuk është gjithmonë rrezik, shpesh është një mundësi për rritje.

Një arsye tjetër është edukimi personal si dhe ndikimi i mjedisit që na rrethon.Familja, shoqëria dhe media mund të përcjellin stereotipe që ndikojnë në mënyrën si mendojmë.

Shkak i fortë i shfaqjes së paragjykimit është dhe mungesa e empatisë. Kur nuk përpiqemi të kuptojmë ndjenjat dhe përvojat e tjetrit, është më e lehtë ta gjykojmë atë padrejtësisht.

Empatia është një nga aftësitë më thelbësore njerëzore, sepse ajo na lejon të kuptojmë dhe të ndiejmë përvojën e tjetrit. Ajo krijon ura mes individëve dhe forcon lidhjet shoqërore. Kur empatia mungon, këto ura dobësohen ose shemben, duke hapur rrugë për paragjykim, ndarje dhe konflikt. Në këtë kuptim, mungesa e empatisë luan një rol qendror në formimin dhe përforcimin e paragjykimeve.

Kur individi nuk përpiqet të kuptojë perspektivën, historinë apo rrethanat e një personi tjetër, ai ka më shumë gjasa ta reduktojë atë në një etiketë apo stereotip. Pa empati, “tjetri” nuk shihet si individ me ndjenja dhe përvoja të barasvlershme, por si përfaqësues i një grupi të caktuar. Reduktimi i kompleksitetit njerëzor e bën më të lehtë lindjen e paragjykimeve.

Mungesa e empatisë gjithashtu nxit dehumanizimin. Kur nuk arrijmë të ndiejmë dhimbjen apo gëzimin e tjetrit, ne fillojmë ta shohim atë si më pak të rëndësishëm ose më pak të denjë për respekt. Kjo krijon terren për diskriminim, përjashtim social dhe në raste ekstreme edhe për dhunë. Historia ka treguar se konfliktet më të mëdha shpesh janë ushqyer nga perceptimi i “tjetrit” si i ndryshëm dhe i padenjë për mirëkuptim.

Në planin shoqëror, mungesa e empatisë thellon polarizimin. Grupet mbyllen brenda identitetit të tyre dhe krijojnë një ndarje të fortë mes “nesh” dhe “atyre”. Kur dialogu zëvendësohet nga gjykimi, dhe mirëkuptimi nga dyshimi, shoqëria humbet solidaritetin njerëzor.Paragjykimi nuk mbetet më thjesht një mendim individual, por shndërrohet në qëndrim kolektiv.

Megjithatë, empatia mund të zhvillohet. Edukimi emocional, kontakti me kultura dhe përvoja të ndryshme, si dhe reflektimi kritik mbi bindjet tona ndihmojnë në zvogëlimin e paragjykimeve. Kur përpiqemi të kuptojmë tjetrin përtej stereotipeve, ne jo vetëm që sfidojmë paragjykimet tona, por ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe më njerëzore. Mungesa e empatisë është një nga faktorët kryesorë që ushqen paragjykimin. Ajo e zvogëlon aftësinë tonë për të parë njerëzoren tek tjetri dhe e bën më të lehtë ndarjen dhe diskriminimin. Zhvillimi i empatisë, përkundrazi, është një hap thelbësor drejt mirëkuptimit, tolerancës dhe bashkëjetesës harmonike.

Pra, paragjykimi nuk lind rastësisht. Ai vjen nga padituria, frika, dhe mungesa e mirëkuptimit. Për ta shmangur, duhet të jemi më të hapur, të informohemi dhe të përpiqemi ta shohim botën edhe nga këndvështrimi i tjetrit.

Njerëzit shpesh ndihen më të sigurt kur qëndrojnë brenda ideve që njohin dhe e kanë të vështirë të pranojnë ndryshimin. Kjo frikë nga e panjohura ushqen paragjykime dhe krijon ndarje mes njerëzve.

Pasojat e paragjykimit janë të dëmshme si për individin, ashtu edhe për shoqërinë. Një person i paragjykuar mund të ndihet i përjashtuar dhe i nënvlerësuar. Nga ana tjetër, ai që paragjykon humbet mundësinë për të njohur realisht tjetrin dhe për të mësuar prej tij. Në shkallë më të gjerë, paragjykimi çon në diskriminim, konflikte dhe padrejtësi.

Shpesh paragjykimet formohen që në moshë të vogël, përmes familjes, shoqërisë apo mediave. Një fëmijë mund të dëgjojë mendime negative për një grup të caktuar njerëzish dhe t’i pranojë ato si të vërteta, pa i vënë në dyshim. Me kalimin e kohës, këto ide rrënjosen dhe ndikojnë në mënyrën si ai sillet dhe mendon për të tjerët. Kështu, paragjykimi bëhet një pengesë për mirëkuptimin dhe bashkëjetesën.

Për të luftuar paragjykimin, duhet të mësojmë të jemi më të hapur dhe më të duruar. Është e rëndësishme të informohemi, të dëgjojmë, të pyesim dhe të kuptojmë para se të formojmë një mendim. Respekti dhe empatia janë çelësi për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme dhe një shoqëri më të drejtë.

Duke shmangur paragjykimin dhe duke kultivuar mirëkuptimin, ne kontribuojmë në krijimin e një bote më të barabartë dhe më njerëzore.

Ne kahun e kundert te paragjykimit eshte gjykimi! Nëse paragjykimi lind nga arritja në konkluzion në mënyrë të nxituar dhe pa reflektuar, gjykimi vjen si rezultat i një analize të thellë e të drejtë. Ai është fruti i arsyetimit. Pra, nëse paragjykimi është hija e mendimit, gjykimi është drita e arsyes. Gjykimi është një proces i vetëdijshëm dhe racional. Ai kërkon kohë, informacion dhe aftësi për të analizuar situatën nga këndvështrime të ndryshme.

Gjykimi është një nga aftësitë më të rëndësishme të njeriut, sepse përmes tij ne kuptojmë botën, marrim vendime dhe ndërtojmë marrëdhënie me të tjerët. Ai nuk është thjesht një mendim i shpejtë apo një opinion i rastësishëm, por një proces i thellë mendor që përfshin arsyetim, vlerësim dhe përgjegjësi. Pa gjykim, njeriu nuk do të ishte në gjendje të dallonte të vërtetën nga e pavërteta, të drejtën nga e padrejta, apo të dobishmen nga e dëmshmja.

Gjykimi ndahet në moral dhe racional. Gjykimi moral lidhet me vlerësimin e së mirës dje së keqes, me atë çka një individ e mendon si të drejtë apo të padrejtë. Ai nuk shtron vetëm pyetjen nëse një informacion apo ndodhi është e vërtetë apo jo, por gjykon nëse është e drejtë ose jo. Synimi parësor i tij është vërtetësia, të qenit objektiv dhe në përputhje me realitetin.

Ndryshe nga paragjykimi apo gjykimi impulsiv, gjykimi moral kërkon reflektim dhe vetëdije. Ai bazohet në parime dhe jo në emocione.Një vendim moral nuk duhet të ndryshojë vetëm për shkak të rrethanave të rastësishme. Ai lidhet ngushtë me ndërgjegjen dhe përgjegjësinë për veprimet tona.

Gjykimi moral ka disa funksione kryesore:

Ai ndihmon individin të kuptojë se cilat veprime janë të pranueshme dhe cilat jo. Përmes tij bëhet dallimi midis së mirës dhe së keqes. Rregullon marrëdheniet shoqërore duke ndihmuar në këtë mënyrë që shoqëria të krijojë norma që mbrojnë drejtësinë dhe mirëqenien. Një gjykim moral i mirë merr parasysh jo vetëm veprimin në vetvete, por edhe ndikimin që ka tek të tjerët. Na bën të reflektojmë për pasojat.

Gjykimi racional në anën tjetër, lidhet me logjikën dhe fakte, me të vërtetën.

Ai përdor arsyetimin, analizën dhe provat për të arritur në një përfundim, është baza e mendimit të shëndoshë, të drejtë dhe të qëndrueshëm. Ndryshe nga gjykimi moral, që shqyrton vlerat dhe drejtësinë, gjykimi racional shqyrton realitetin objektiv ashtu si dhe argumentet që e mbështesin atë. Nuk ndikohet nga emocionet apo stereotipet.

Gjykimi racional nuk ndryshon sipas ndjenjave të momentit apo preferencave subjektive. Ai ka në themel arsyetimin e qartë dhe të strukturuar, dhe shpesh kërkon kohë për të mbledhur informacionin dhe për ta analizuar atë.

Gjykimi racional është mënyra se si njeriu kupton botën, ndërton dijen dhe merr vendime të logjikshme.

Ai është një mjet i domosdoshëm për të shmangur paragjykimet dhe për të arritur vendime të drejta dhe të qëndrueshme. Ndërthurja e tij me gjykimin moral është ajo që e bën mendimin njerëzor të plotë: racionaliteti pa moral mund të jetë i ftohtë dhe mekanik, kurse morali pa racionalitet mund të jetë i paarsyeshëm.

Pra, për ta përmbyllur këtë analizë rreth paragjykimit dbe gjykimit: ajo çka duhet të merret gjithmonë parasysh është ndryshimi rrënjësor që ata kanë.

Dallimi midis tyre qëndron në thellësi dhe drejtësi. Paragjykimi ndan dhe krijon padrejtësi, ndërsa gjykimi synon të kuptojë dhe të vendosë me paanshmëri. Nëse paragjykimi është një reagim i menjëhershëm, gjykimi është një vendim i menduar. Njëri buron nga mungesa e analizës, tjetri nga pjekuria mendore.

Sfida e çdo individi nuk është të shmangë mendimin, por ta ushtrojë atë me maturi, duke lënë pas paragjykimet dhe duke zgjedhur gjykimin e drejtë. Vetëm kështu mund të ndërtojmë marrëdhënie të shëndosha, të kuptojmë botën dhe të veprojmë me drejtësi në shoqëri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb