Qeveria shqiptare është duke u bërë gati për ndërtimin e autostradës adriatiko joniane Muriqan-Lezhë me financimin e Bankës Europiane për Rindërtim BERZH, e cila do të jetë një rrugë tërësisht e re, paralel me aksin aktual Shkodër-Lezhë.

Gazetari Senad Nikshiqi raporton për Balkanëeb se projekti paraprak sa i përket konkluzioneve mjedisore dhe sociale u prezantua në një dëgjesë publike në bashkinë Shkodër nga projektuesit dhe ekspertët social e mjedisor.

Ky aks do të jetë 40.4 km me një shpejtësi 120 km/h, me 5 nyje lidhëse, 40 nënkalime dhe 17 ura mes të cilave edhe një urë e re mbi lumin Buna.

Nënkryetari i bashkisë Shkodër Onid Bejleri e cilësoi tejet të rëndësishëm këtë aks rrugor nga Muriqani në Lezhë, i cili sipas tij do t’i japë shumë zhvillim Shkodrës.

Banorë të fshatrave që mund të preken në bizneset apo tokat e tyre si shkak i ndërtimit të kësaj rruge janë të shqetësuar për shpronësimet dhe një pjesë e konsiderueshme për mungesën e certifikatave të pronësisë. Ekspertët u shprehën se në fazën tjetër të projektit do diskutohet për shpronësimet ndërsa për pronësinë kërkohen me çdo kusht cerfikatatat.

“Plani i shpronësimeve do të vijë në fazën pasardhëse. Ne edhe herën e parë kur kemi qenë e kemi shënuar këtë shqetësim tuajin dhe do t’ia paraqesim qoftë qeverisë shqiptare por edhe BERZH. Sa i përket pronësisë edhe aty ia kemi paraqitur institucioneve problemin e mungesës së certifikatave dhe i kemi sugjeruar që bashkë me kadastrën t’ju ndihmojnë në këtë aspekt për të përshpejtuar procedurat. Gjithsesi politikat e BERZH janë shumë të qarta, do të bëhet në përputhje me standardet kombëtare por edhe sipas kërkesës për përformancë të BERZH”.

Drejtorja e Mjedisit në Bashkinë Shkodër Aida Shllaku shprehu shqetësimin e mungesës të një lidhje të fortë të rrugës Muriqan-Lezhë me Shkodrën, por kjo sipas ekspertëve duhet menduar nga vetë bashkia për të qenë në harmoni me aksin adriatiko-jonian.

Kjo është hera e dytë që zhvillohet një dëgjesë publike për rrugën adriatiko-joniane Muriqan-Lezhë në bashkinë Shkodër, ndërsa projekti është ende në fazë paraprake dhe është e paqartë se kur mund të fillojnë dhe përfundojnë punimet, ndërsa nuk është sqaruar ende as çështja e shpronësimeve.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb