Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka vendosur sekuestrimin e pasurive të shtetasit E.Sh., i cili po hetohet për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtari kriminale”, sipas nenve 143, 180 dhe 287 të Kodit Penal.
Hetimet kanë treguar se E.Sh., përmes një aktiviteti “Call Center” në qytetin e Fierit, dyshohet të ketë përfituar vlera monetare të konsiderueshme, depozituar në llogari bankare pa justifikim për origjinën e tyre ligjore, dhe më pas investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. Këto veprime dyshohet se kanë pasur për qëllim fshehjen e burimit të paligjshëm të parave.
Në kuadër të hetimeve, ndaj shtetasit me inicialet E.Sh. janë caktuar masa sigurimi personal me karakter shtërngues dhe sekuestron preventive mbi një njësi me sipërfaqe 230 m² dhe një apartament 100 m² në Fier. Veprimet kanë për qëllim parandalimin e transferimit të pasurive dhe sigurimin e efektivitetit të hetimeve.
NJOFTIMI I PROKURORISE
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u sekuestruan pasuritë e shtetasit E.Sh., nën hetim për veprat penale ‘Mashtrimi’, ‘Fshehja e të ardhurave’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtari kriminale’ parashikuar nga nenet 143, 180 dhe 287 të Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1381, datë 16.12.2021, i regjistruar ndaj personit nën hetim E.Sh., dyshohet se nëpërmjet një aktiviteti “Call Center” që ushtronte në qytetin e Fierit, është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme.
Në vijim të hetimeve, u dokumentua fakti i depozitimit të vlerave të konsiderueshme monetare Cash, në llogaritë bankare të cilat nuk justifikojnë burimin e ligjshëm të origjinës. Më pas, këto vlera u investuan në pasuri të luajtshme të paluajtshme, të cilat janë ende në verifikim. Nëpërmjet veprimeve juridike u synua transferimi i pasurive, me qëllim mbulimin e origjinës së paligjshme, fakt që përmban elementë të veprës penale të dyshuar “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Në funksion të këtij procedimi penal ndaj personit nën hetim, u caktuan masat e sigurimit personal me karakter shtërngues. Njëkohësisht, mbi bazën e kërkesës së prokurorisë në mbështetje të nenit 274 të Kodit të Proceduës Penale, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, u vendos masa e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” mbi:
1 – Pasurinë e llojit Njësi, me sipërfaqe 230 m2;, si dhe
2 – Pasurinë e llojit apartament me sipërfaqe 100 m2, në Fier.
