Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur te seanca e zhvilluar sot në Gjykatën Kushtetuese për zv/kryeministren Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin, kërkesë e kundërshtuar nga Kryeministria.
Balliu u shpreh se qeveria po përdor çdo mjet për të mbrojtur Ballukun dhe për të fshehur, sipas tij, provat e vjedhjeve. “Bëjnë çdo artificë që Lubia të vijojë vjedhjet dhe të fshehë provat e vjedhjeve që ka bërë. Paratë që ka vjedhur ajo mund të ishin përdorur për spitale, që njerëzit të mos vdesin nga mungesa e dritave apo e ilaçeve. Në vend që qeveria të kujdeset për qytetarët, ajo kujdeset për Ballukun”, deklaroi deputeti demokrat.
Sipas Balliut, mbrojtja që i bëhet zv/kryeministres nuk lidhet me të personalisht, por me kryeministrin Edi Rama. “E kanë nga dashuria për Ramën, jo për Ballukun”, tha ai, duke shtuar se në çështjen e tunelit të Llogarasë, Balluku ka qenë thjesht firmëtare, ndërsa projekti, sipas tij, është drejtuar nga Rama dhe lidhjet me kompanitë turke.
Balliu theksoi se Shqipëria ka “pushtetarët më të pasur në vendin më të varfër të Europës”, duke ironizuar pasurinë e Ballukut. “As presidenti i SHBA-ve, që ka qenë biznesmen, nuk ka 300 apartamente, por aq i ka Lubi Balluku”, u shpreh ai, duke shtuar se Rama, sipas tij, “nuk ka punë me drejtësinë”.
Deputeti demokrat krahasoi gjithashtu rastin e Ballukut me atë të ish-presidentit Ilir Meta. “Kanë mbajtur Ilir Metën në burg me arsyetimin se mund të ndërhyjë në proces, ndërkohë që nuk është në pushtet, ndërsa mbajnë Ballukun, që është zv/kryeministre, ministre dhe drejtuese politike e PS në Fier. Kush ka më shumë fuqi, opozita apo ata në pushtet?”, tha Balliu.
Ai shtoi se drejtësia ka konstatuar se një kompani ka përfituar rreth 50 milionë euro pa kryer punë reale në tunelin e Llogarasë dhe se, sipas tij, ndaj Ballukut do të ngrihet edhe akuza për grup të strukturuar kriminal. “Është e padiskutueshme”, theksoi Balliu.
Deputeti i PD e cilësoi këtë situatë si një test për drejtësinë, qeverinë dhe shoqërinë shqiptare. “Nuk mund të pranojmë që vjedhja të bëhet rutinë në Shqipëri. Vjedhja sjell bashkëpunim me krimin dhe neglizhencë ndaj qytetarëve”, u shpreh ai, duke përmendur edhe skandalet e inceneratorëve, Eco Park-ut dhe AKSHI-t, si dhe duke akuzuar qeverinë për cenim të sigurisë kombëtare.
