Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Ina Zhupa në një dalje për mediat, u shpreh se kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja ka deklaruar se do të votojnë kundër çdo nisme të depozituar nga ana e opozitës.
Sipas Zhupës kjo është arsyeja përse rreth 60 nisma të deputetëve të opozitës janë lënë në sirtarët e Kuvendit, pasi mazhoranca nuk do t’i votojë sepse sipas saj, nuk kanë argument për t’i votuar kundër.
“Sot më në fund Kuvendi pranoi me zë dhe figurë nga goja e Ulsi Manjës që pr.ligjet që vijnë nga deputetët e opozitës nuk analizohen nëse i sjellin të mirë interesit publik, nëse janë në përputhje me Kushtetutën apo jo, por analizohen vetëm kush i ka sjellë.
Në momentin që i ka sjellë një deputet i opozitës ata e votojnë kundër dhe pa lejuar debatin.
Sot z.Manja ka thënë tekstualisht “ne nuk jemi kundër nismës, por ne do ta votojmë kundër sepse është sjellë prej jush dhe ne do ta sjellim vetë këtë nismë.
Me këtë qëndrim që ata mbajtën sot treguan se pse rreth 60 nisma të deputetëve të opozitës lihen në sirtarët e Kuvendit sepse ata nuk kanë argument për ta votuar kundër dhe nuk duan ta votojnë pro, por edhe kur i sjellin ata s’kanë argument pse mësuesit shqiptarë nuk duhet të përfitojnë që sot dhe të marrin drejtësinë e vonuar për atë pagesën e kategorisë. Sipas tyre, parlamenti duhet të jetë një paradhomë e ligjeve që sjell qeveria”, deklaroi Zhupa.
Kjo e fundit theksoi se projektligji i depozituar prej saj parashikon ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë, duke njohur mësuesit që kanë përfunduar studimet para Bolonjës si të barasvlershëm me shkollë të lartë dhe master 60 apo 90 kredite, çka u mundëson atyre përfitimin e pagesës së kategorisë
Ajo shtoi se, arsimi duhet të ketë më shumë fonde se çdo sektor tjetër.
“Asnjë nismë tjetër nuk do miratohet dhe pse i shërben interesit publik dhe qytetarëve shqiptarë.
Sot bëhet fjalë për 11 mijë e 172 mësues, por bëhet fjalë për sistemin arsimor.
Do kesh mësues më të motivuar dhe japin arsim më cilësor. Arsimi duhet të ketë më shumë fonde se çdo sektor tjetër”, u shpreh Zhupa.
