Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste, gjatë një interviste në News24, ku ka komentuar situatën politike në vend dhe protestat e zhvilluara në Tiranë.

Blushi deklaroi se Partia Socialiste nuk mund të konsiderohet më një forcë politike socialiste, duke e cilësuar atë si një strukturë kriminale dhe mafioze, nën drejtimin e Edi Ramës. Ai iu referua edhe pamjeve të personave që, sipas tij, dolën me shkopinj për të mbrojtur selinë e PS-së nga protestuesit disa ditë më parë.

Sipas Blushit, në Partinë Socialiste ka përplasje të brendshme, ndërsa përgjegjësinë për dhunën e zhvilluar gjatë protestave ia atribuoi kryeministrit.

Duke folur për Kuvendin, sekretari i Përgjithshëm i PL-së tha se ai ka humbur funksionet dhe është kthyer, sipas tij, në një institucion që miraton ligje në interes të Ramës dhe klanit të tij. Blushi kërkoi shpërndarjen e Parlamentit, duke argumentuar se ai nuk garanton më as të drejtat kushtetuese të opozitës dhe as llogaridhënien.

Ai solli në vëmendje edhe dy propozimet e Partisë së Lirisë për uljen e TVSH-së së produkteve ushqimore nga 20% në 5%, të cilat, sipas tij, nuk janë miratuar nga mazhoranca.

Sa i përket protestave, Blushi theksoi se nuk bëhet fjalë për lëvizje të ndara politike, por për një protestë të përbashkët të qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike apo krahinës. Ai e cilësoi atë si një reagim të shqiptarëve kundër qeverisjes së Edi Ramës dhe hodhi poshtë narrativën se në vend ka më shumë se një protestë.

Tedi Blushi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë:

“PS nuk mund të quhet as socialiste më. I kemi parë pamjet kur çuna me shkopinj e banditë dolën për të mbrojtur selinë e saj nga protestuesit ditë më parë. Ata po hanë kokat e njëri-tjetrit në PS. Një strukturë kriminale mafioze dhe ku fijet i lëviz kreu i organizatës, Rama. I vetmi autor i dhunës tashmë i certifikuar është Edi Rama.

Parlamenti i vërtetë sot është në bulevard dhe sheshet e Tiranës. Sa i përket Parlamentit, ai nuk meriton të ekzistojë më, i ka humbur të gjitha funksionet, sepse është kthyer në rrobaqepësi të Edi Ramës, ku qep ligje me porosi të interesave të klanit të tij dhe për llogaritë e veta ekonomike e politike, jo për interesin e shqiptarëve.

Në të kundërt, ai Parlament do të miratonte dy propozimet tona për uljen e TVSH-së së ushqimeve nga 20% në 5%. Sot Parlamenti është marrë peng nga njerëz që përfaqësojnë interesa kriminale të Edi Ramës. Ai Parlament duhet shkrirë, duhet të shpërndahet, për sa kohë që në të jo vetëm nuk respektohen formalisht të drejtat kushtetuese të opozitës, por ka humbur edhe llogaridhënia. Ndaj, de facto, Parlamenti është në rrugët dhe sheshet e Tiranës.

Ka vetëm një protestë, është e gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve të tyre politike, krahinës apo përkatësisë. Unë shoh vetëm një trup solid të të gjithë shqiptarëve të ndershëm, që ka ardhur koha të bashkohen për të mundur të keqen më të madhe të këtij vendi, që quhet Edi Rama. Narrativat që kërkojnë të thonë se ka më shumë se një protestë i shërbejnë dhe i nxit propaganda e Edi Ramës.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb