Ish-ambasadori Fatos Tarifa, i ftuar në studion e emisionit “Oponencë”, ka lëshuar një lumë kritikash të ashpra ndaj funksionimit të Parlamentit dhe Partisë Socialiste. Tarifa u shpreh se legjislativi shqiptar ka humbur rolin e tij të vërtetë, duke u kthyer në një lojë ekskluzive mes kryetarëve të partive politike, ndërsa institucionet kryesore të shtetit po kontrollohen nga një dorë e vetme.

Gjatë fjalës së tij, Tarifa vuri theksin te rëndësia që ka roli i deputetit në mirëqenien e qytetarëve, duke goditur cilësinë e parlamentarëve aktualë dhe duke përmendur emra specifikë si deputetja e majtë, Zegjine Çaushi.

“Një parlamentar është ligjvënës. Ligjet që ata propozojnë dhe miratojnë janë ato që përcaktojnë mirëqenien tonë materiale si qytetarë dhe atë psikologjike, jetën tonë. Nëse kjo jetë varet nga ligje që kalojnë Zegjinetë dhe të tjerë si ajo, sa kohë parlamenti të jetë lojë e dy kryetarëve të dy partive që vendosin njerëzit aty dhe miratojnë ligje që qytetarët nuk i njohin, e madje i shkelin ligjet për shkak se nuk i njohin, ne nuk do kemi përmirësim të dukshëm,” tha ish-diplomati.

Tarifa nuk ka kursyer as drejtimin e lartë të Kuvendit, duke deklaruar hapur se kreu i legjislativit nuk ka asnjë pushtet real dhe se gjithçka diktohet nga zyra e kryeministrit Rama.

“Ai që kemi kryetar kuvendi është kukull, dhe parlamentin e drejton kryeministri. Nëse kryeministri zgjedh presidentin, kuptohet se ai i drejton të gjitha,” u shpreh ai, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi ndarjen e pushteteve në Shqipëri.

Në mbyllje të analizës së tij të fortë në studion televizive, ish-socialisti Tarifa shprehu shqetësimin e thellë për përqendrimin e skajshëm të pushtetit në duart e kreut të qeverisë, duke paralajmëruar se kjo skenë po zhbën frymën e një republike parlamentare.

“Nuk e di çfarë pushteti ngelet jashtë duarve të tij,” përfundoi deklaratën e tij Tarifa.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb