Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar mazhorancën për bllokimin e punës së prokurorisë, pas daljes nga seanca parlamentare, duke deklaruar se Kuvendi po pengon arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila sipas tij është nën akuzë nga SPAK.
Në një deklaratë për mediat jashtë Parlamentit, Berisha tha se seancat po përdoren për të mbuluar atë që ai e cilësoi si “krim monstruoz” dhe “grusht shteti” të kryeministrit Edi Rama ndaj drejtësisë.
“Sot Parlamenti përsëri mblidhet dhe diskuton gjithçka, vetëm e vetëm që të shurdhojë dhe të mbulojë krimin monstruoz që ka kryer, grushtin e shtetit që ka kryer Rama përmes tij, duke marrë pushtetin e drejtësisë dhe duke bllokuar prokurorinë dhe të drejtën kushtetuese për ngritjen e akuzave ndaj kujtdo që shkel ligjin”, deklaroi Berisha.
Ai e cilësoi këtë situatë si të paprecedentë në historinë e vendit, duke shtuar se sipas tij, vetëm qytetarët mund t’i japin përgjigjen e merituar kësaj situate. Në këtë kuadër, Berisha bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e paralajmëruar më 10 shkurt.
“Protesta e 10 shkurtit duhet të shndërrohet në ditën e uraganit të fuqishëm të lirisë së shqiptarëve dhe të përmbysjes së këtij regjimi të urryer, që nuk respekton asnjë ligj, parim dhe as Kushtetutën”, u shpreh ai.
Sipas Berishës, Partia Demokratike dhe çdo qytetar shqiptar e kanë prioritet luftën kundër asaj që ai e quajti “grusht shteti”, duke akuzuar mazhorancën se po përdor Kuvendin si mburojë për Belinda Ballukun dhe kryeministrin Edi Rama.
“Çdo veprim është i paralizuar kur mbrohet një kriminele e damkosur nga një kryetar i një organizate kriminale që quhet Edi Rama”, përfundoi Berisha.
