Partia shqiptare “Aleanca për Shqiptarët”, e udhëhequr nga ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, ka vendosur të largohet nga koalicioni qeveritar i kryeministrit Hristijan Mickoski.

Taravari propozoi në organet drejtuese të partisë largimin nga qeveria të dy ministrave që përfaqësojnë partinë në kabinet, dy zëvendësministrave si dhe drejtuesve të institucioneve publike që vijnë nga radhët e “Aleancës për Shqiptarët”.

Propozimi i tij u pranua njëzëri dhe në ditët në vijim priten dorëheqjet përkatëse nga postet qeveritare.  Muajin e kaluar, “Aleanca për Shqiptarët” u tërhoq edhe nga koalicioni shqiptar VLEN, i cili ishte pjesë e qeverisë. Partia e Taravarit ishte forca më e madhe politike brenda këtij koalicioni.

“Aleanca për Shqiptarët” ka pesë deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, që ka gjithsej 120 deputetë.  Koalicioni qeveritar i drejtuar nga Mickoski mbështetet nga 78 deputetë. Edhe nëse pesë deputetët e Aleancës kalojnë në opozitë, qeveria do të vazhdojë të ketë një shumicë komode prej 73 deputetësh.

Në deklaratat e tij, Taravari tha se qeveria “ka humbur rrugën drejt Brukselit”, duke theksuar se procesi i integrimit evropian ka ngecur dhe vendi nuk po shënon asnjë përparim.

Ai shtoi se shqiptarët në administratën shtetërore po margjinalizohen gjithnjë e më shumë dhe nuk mund të pranojë që përfaqësuesit shqiptarë në qeveri të luajnë një rol “kukulle”. Po ashtu, theksoi se qeveria nuk ka përmbushur premtimet e dhëna qytetarëve.

Sipas raportimeve, Taravari pritet të bashkëpunojë në zgjedhjet lokale të tetorit me partinë më të madhe shqiptare të opozitës, BDI-në e Ali Ahmetit, gjë që ka shkaktuar tensione brenda qeverisë.

Mickoski ka paralajmëruar se çdo parti e qeverisë që afrohet me BDI-në, shkel parimet e bashkëqeverisjes dhe automatikisht përjashtohet nga qeveria. Të njëjtin qëndrim ndajnë edhe tre partitë e tjera shqiptare të koalicionit VLEN, të cilat e akuzojnë Taravarin për bashkëpunim me BDI-në, të cilën e cilësojnë si të korruptuar.

BDI e ka përshëndetur largimin e Aleancës nga qeveria, duke theksuar se tani koalicioni VLEN nuk ka më legjitimitetin për të përfaqësuar interesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të cilët përbëjnë rreth 25% të popullsisë.

Në të gjitha qeveritë e Maqedonisë së Veriut kanë qenë gjithmonë të përfshira një apo më shumë parti shqiptare, për të ruajtur ekuilibrat ndëretnikë të brishtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb