Zv presidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se PL ka zhvilluar takime me shqiptarët në Milano.
Xhixho shprehet se shqiptarët që jetojnë në këtë qytet italian kanë treguar një entuziazëm të papërshkrueshëm. Ajo shton se emigrantët shqiptarë në Milano e mbarë Italinë mezi e presin ndryshimin e situatës në Shqipëri.
“Mirënjohje për entuziazmin me të cilin na pritën emigrantët shqiptarë në Milano, të cilët ndanë me ne dëshirën e madhe për të kontribuuar në mënyrë direkte për ndryshimin në Shqipërinë që kanë lënë pas.
Eksodi i madh i viteve ’90 është përsëritur në mënyrë dramatike gjatë 8 viteve të fundit. Rreth 1 milion shqiptarë kanë lënë vendin e tyre për shkak të keqqeverisjes dhe mungesës së shpresës se Shqipëria mund të bëhej vendi ku ata mund të rrisnin fëmijët. Ikja e trurit po e lë Shqipërinë pa profesionistë.
Emigratët që takova në Milano 🇮🇹 kanë lënë pas prindërit, madje shumë prej tyre edhe fëmijët. Me paratë që ata u dërgojnë, mbajnë frymën mijëra prindër pensionistë, mijëra gra e fëmijë.
Vetëm në 9 muaj të vitit 2024, sipas Bankës së Shqipërisë, dërgesat e emigrantëve kanë arritur në 772 milionë euro, një rritje me 95 milionë euro krahasuar me një vit më parë. 📈
Kjo rritje e shpejtë dhe progresive e remitancave tregon se është shtuar numri i emigrantëve shqiptarë nëpër botë, por njëkohësisht është shtuar edhe nevoja e familjarëve në Shqipëri për t’u mbështetur me para. Kjo sepse shqiptarët në vendin e tyre janë rrënuar ekonomikisht. Kriza e çmimeve dhe mungesa e mbështetjes nga qeveria i kanë lënë shqiptarët me sytë nga dërgesat e diasporës. Për 12 vjet, pensionet në Shqipëri nuk janë rritur asnjë qindarkë, ndërsa me indeksimin e fundit qeveria u tall me pensionistët, madje po përpiqet edhe t’i mashtrojë me bonuse elektorale.
Zhvlerësimi i qëllimshëm ua ka bërë edhe më të vështirë jetesën atyre prindërve që mbahen nga dërgesat e fëmijëve. Sot, nëse një emigrant i dërgon 200 euro nënës në Shqipëri, ato vlejnë 180 mijë lekë të vjetra, pesë vjet më parë vlenin 28 000 mijë lekë të vjetra. 📉
Shqipëria është kthyer në lavatrice të parave të pista, duke ua vështirësuar jetën të pamundurve e duke pasuruar vetë qeverinë e krimin e organizuar. Sepse këto të dyja kanë qenë e janë bashkë përballë qytetarit të ndershëm, që paguan taksat e është në kufijtë e mbijetesës.
Korrupsioni, shkatërrimi i sistemit arsimor dhe degradimi i sistemit shëndetësor po i bëjnë ta mendojnë largimin edhe ata që nuk kanë ikur ende nga Shqipëria. E gjithë makineria shtetërore dhe pasuritë kombëtare janë vënë në shërbim të një grushti njerëzish, me të cilët qeveria ndan paratë.
🗳️Ndaj më shumë se kurrë, emigrantët shqiptarë, jo vetëm në Itali, por kudo në botë, kanë në dorë ndryshimin e madh. Vota e tyre është mundësia për ta ringritur Shqipërinë dhe për ta bërë atë vendin e të gjithëve, jo vetëm të disave”, shkruan Xhixho.
