Kryetari i PD-së, Sali Berisha komenton shfaqen e parë publike të kryeministrit Edi Rama me Dashnor Sulën, ky i fundit i zgjedhur në postin e Kryeinspektorit. Berisha nuk i kurseu ironitë për Ramën dhe ish-deputetin, ndërsa shtoi se tashmë shprehja e njohur është; Puthu me Dash Sulën.
Ky i fundit deklaroi sot në prani të Ramës se ishte hedhur në rrugë nga partia e tij, ndërsa shtoi se qeveria Rama i kishte dhënë mundësi që të konkurronte dhe të dilte i pari.
“Ekziston shprehja popullore, puthu me Milon, por sot kjo është, puthu me Dashin. Edi Rama sot që kishte prenotuar hotele, salltanete dhe bëhej gati komunikata të parafabrikuara të na dërgonte nga konferenca më e rëndësishme vjetore e sigurisë në botë, që është Konferenca e Mynihut, nuk shkoi dot.
Ai dhe ekipi i tij nuk u nis dot për Mynih, e anuloi. Batoni me një pjesë të ekipit është në Mynih duke e pritur, por Rama, thashë edhe njëherë, ajo që thotë populli puthu me Milon, u bë sot e vërtetë, puthu me Dash Sulën. Ky është një akt për të cilin do të shpreh mirënjohjen më të madhe të gjithë atyre që i refuzuan takimet narkodiktatorit të Tiranës. Të gjithë atyre që i anuluan takimet e fiksuara para vizitës së tij në Bruksel.”, tha ai.
