Ardit Beqiri, ish-kapiteni i Partizanit, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ka analizuar hollësisht këtë start të “demave”. Ish-mbrojtësi i konsideron të kuqtë një skuadër të qëndrueshme, por shprehet se humbja me Erzenin lë vend për diskutim. Ai shton se Skukës ndoshta i është dhënë përgjegjësi më shumë seç mund të mbajë.
Si ju duket Partizani i katër javëve të para?
Partizani më është dukur ekip mjaft i qëndrueshëm, i fortë dhe në ekuilibër.
Të thuash që nuk pati probleme, nuk e themi dot, sepse humbja natyrisht që përmban probleme brenda. Gjithashtu, nuk mendoj se e kishin marrë lehtë, sepse nuk dukeshin të pamobilizuar. Kontrollin e lojës e kishin. Kam përshtypjen se këtë herë nuk funksionoi diçka në fazën sulmuese. Përgjithësisht me ekipet më të lehta në letër duhet ta nxjerrësh golin shpejt dhe ndoshta kjo i ka penalizuar. Në sulm pashë shumë veprime individuale.
Gjithsecili merrte përsipër ta zgjidhte problemin e golit i vetëm. Nuk e di përse kishin këtë qëndrim në këtë ndeshje. Gjithsecili prej sulmuesve dukej sikur e mbanin barrën e fitimit të ndeshjes më vete në kurriz dhe kush e kush ta zgjidhi. Nuk kishte shumë bashkëpunim. Edhe krosimet që vinin nga krahët nuk ishin në nivelin e duhur. Ndoshta ka ndikuar edhe nervozizmi i rezultatit. Goli i pësuar shpejt ndonjëherë të ndikon edhe për mirë, sepse të mobilizon. Partizani fushën e mori, por ndoshta nuk ishte dita.
A u befasuat nga shkarkimi i Dritan Mehmetit?
Të gjithë u befasuan, sepse Partizani në shumicën e rasteve i ka dhënë besim trajnerëve. Mehmeti hyn te rastet e rralla. Nuk mbaj mend që një trajner i konfirmuar për të vijuar kontratën dhe nisur sezonin, të jetë larguar 10 ditë pa nisur kampionati. Këto janë arsye të brendshme, që ne vështirë t’i marrim vesh. Nuk është humbja në miqësore një arsye kuptimplotë për të shkarkuar trajnerin.
Unë kam përshtypjen se Tani asnjëherë nuk e fitoi besimin e klubit. Ai bëri shumë mirë vjet në kampionat, por dukej sikur ishte gjithnjë në provë te Partizani. E shihnin me lupë zmadhuese për çdo veprim. Mesa duket ka ardhur një moment që drejtuesit kanë pasur frikë ta nisin sezonin me Tanin, nuk e di përse. Ai pati dhënë të gjitha shenjat se mund të bënte mirë. Megjithatë, rezultatet nuk na lejojnë të ankohemi për largimin e Tanit, sepse rezultatet janë të mira.
