Pas dy fitoreve radhazi, Partizani bie në Kukës, duke i dhënë mundësi Tiranës kryesuese të shkëputet nesër në përballjen me Teutën. Ishin vendasit që fituan 1-0 ndaj të kuqve, tri pikë me shumë vlerë për verilindorët në misionin e tyre për mbijetesë.

Ndeshja ishte e ekuilibruar, por tentativat në portat respektive ishin të pakta. Gjithçka do të ndryshonte në minutën e 22-të. Gjelbrim Taipi bën një akrobaci të vërtetë me roveshatë, duke kaluar Kukësin në avantazh. Të kuqtë reagojnë, por mungojnë goditjet drejt portës.

Në minutën e 35-të pati shqyrtim për penallti nga ana e VAR në favor të Kukësit, por nuk akordohet. Partizani krijon volum loje edhe në pjesën e dytë, por ishin vendasit ata që mund të shënonin në kundërsulm, siç ishte rasti i minutës 66’ kur kroati Basha del i vetëm përballë portierit Rexhepi, por nuk arrin të shënojë.

Në fund, Kukësi arrin të mbrojë golin e vetëm dhe të marrë tri pikë me shumë vlerë, ndërsa Partizanin nuk arrin të shmangë humbjen dhe shkon me moralin jo të duhur në dy sfidat e radhës, kundër Vllaznisë në kupë dhe derbin me Tiranën në kampionat.

Ndeshja tjetër e orës 13:00, mes Bylisit dhe Egnatias përfundoi 2-3, me rrogozhinasit që përmbysën dhe tashmë shohin lart për nga zona evropiane. Ndërsa ballshiotët mbesin në vendin e parafundit.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb