Partizani dhe Egnatia ritakohen sot për të gjashtën herë këtë sezon. Rrogozhinasit, falë financave dhe ideve të duhura u ngjitën shpejt dhe tashmë mund të themi se ekziston një rivalitet i ri mes tyre dhe Partizanit.
Në këtë duel, Partizani arriti të marrë Superkupën e Shqipërisë, ndërsa Egnatia mori revanshin në finalen e vjetshme të titullit. Në fund të kuqtë përfunduan vetëm me Superkupën, ndërsa Egnatia mori dopietën sezonale, duke dominuar futbollin shqiptar.
Këto dy momente mund të themi se kanë krijuar një rivalitet të ri mes këtyre klubeve. Në gjysmëfinalen e sotme, të kuqtë kërkojnë finalen për herë të parë pas 21 vitesh, ndërsa Egnatia për herë të tretë radhazi. Në dy vitet e fundit, fitues të Kupës janë pikërisht rrogozhinasit.
BILANCI KËTË SEZON – Sa u përket betejave të këtij sezoni, Partizani, edhe pse një skuadër më pak e fortë në letër, ka arritur t’i mposhtë rregullisht rrogozhinasit. Deri më tani, dy skuadrat janë ndeshur plot pesë herë në këtë sezon, ku në tri raste ka fituar Partizani, një sfidë është mbyllur barazim dhe një tjetër është fituar nga Egnatia. Të kuqtë fitonin ndeshjen e fazës së parë, teksa më pas vinte një barazim e një fitore e rrogozhinasve.
Së fundmi Partizani e mposhti dy herë Egnatian, duke fituar gjysmëfinalen e parë të Kupës me shifrat 0-1 dhe me të njëjtin rezultat edhe në kampionat. Kjo është e gjashta dhe mbetet një nga betejat më vendimtare, ku me siguri Egnatia kërkon revanshin.
PËR REVANSH – Të mposhtesh nga një rival direkt tri herë në pesë beteja të luajtura, për një ekip kampion është diçka që nuk kapërdihet lehtë. Egnatia e di mirë se, nëse fiton këtë ndeshje, do të shpaguhej “dhimbja” e atyre tri humbjeve të mëparshme.
Veçanërisht sfida e fundit i la rrogozhinasit të zhgënjyer për mënyrën sesi u mposhtën dhe trajneri Tetova nuk i kurseu kritikat për lojën e Partizanit, por edhe për gjykimin. Në dy ndeshje rrogozhinasit janë mundur me penallti të Kekos, çka përbën edhe një precedent për ta dhe që do të kërkojnë ta përmbysin në këtë sfidë të sotme. Përveç kualifikimit, në Rrogozhinë kërkojnë edhe revanshin.
