Partizanin do e presë një takim mjaft i vështirë në javën e tetë të Superiores. Skuadra e drejtuar nga Oltijon Kërnaja do të vendoset përballë kampionëve të Egnatias, që janë ekipi më në formë i kampionatit bashkë me Vllazninë.
“Panorama Sport” iu sjell një pasqyrë të statistikave mes dy klubeve. Çfarë mund të vërehet është se Partizani është më mirë në përballjet direkt. Megjithatë, Egnatia është padyshim makth i Partizanit në periudhën 2024-2025. Partizanit mund t’i kujtohet vetëm ndonjë fitore kundër skuadrës së Edlir Tetovës, pasi asnjë trofe nuk është ngritur. Në anën tjetër ndodhet Egnatia me katër të tillë të fituar.
DY VITE- Partizani ka vuajtur në vitin 2024 dhe 2025 përballë Egnatias. Bëhet fjalë për dy edicione ku rrogozhinasit kanë ndikuar drejtpërdrejt te dështimet e Partizanit në Shqipëri. Një klub si ai i të kuqve ka për objektiv gjithmonë trofetë, që për dy vitet në fjalë kanë munguar. Në vitin 2024, Egnatia tronditi Partizanin duke fituar finalen e madhe të “Final Four”. Kështu i hoqi të kuqve mundësinë për titull kampion, ndërsa më pas edhe përfaqësimin e Shqipërinë në kualifikueset e Ligës së Kampioneve si skuadër favorite në turin e parë. Ndërkohë ky vit ishte më i errët, sërish falë Egnatias. Në pak ditë, rrogozhinasit i eliminuan “demat” në dy gjysmëfinale. Fillimisht erdhi tronditja në Kupën e Shqipërisë, ndërsa më pas në atë “Final Four”. Egnatias, falë avantazhit nga renditja, i mjaftoi edhe një barazim në gjysmëfinale për të eliminuar skuadrën e Skënder Gegës. Dhe pikërisht kjo gjë ndodhi, që solli eliminimin e Partizanit nga gara për titull.
STATISTIKAT- Partizani dhe Egnatia janë vendosur 25 herë përballë njëritjetrit. Të kuqtë kanë 9 fitore, ndërsa 6 i përkasin Egnatias. Golavarazhi po ashtu mbetet në favor të Partizanit, 27 gola të shënuar kundrejt 23 golave të Egnatias. Shija e të tre rezultateve është provuar në këtë edicion nga të dyja ekipet përballë njëri-tjetrit. Hera e fundit, kur Partizani dhe Egnatia luajtën bashkë në “Arena e Demave”, pa ekipin e Edlir Tetovës të fitonte 0 me 2 pas kohës shtesë. Kështu edhe u sigurua finalja e Kupës së Shqipërisë, duke ia mohuar kryeqytetasve si mundësi pas shumë viteve pritje.
DIFERENCA- Asnjëherë pas shtatë javësh të luajtura, Partizani nuk e ka parë vetën 7 pikë larg Egnatias në kampionhat. Rrogozhinasit kanë krijuar një diferencë të konsiderueshme, falë humbjeve radhazi që Partizani regjistronte para fitores me Flamurtarin. Egnatia nuk do të ketë presion në Tiranë, pasi mban vendin e dytë. Partizani i vendit të shtatë vijon ndërkohë të ketë presionin e madhe të rezultateve, ndërsa faza e parë po shkon drejt fundit.
TRAJNERI- Partizani ka ndryshuar disa herë teknikun në tre vitet e fundit. Kampionët e Egnatias janë shembulli, që nuk është ndjekur nga të kuqtë. Edlir Tetova numëron 133 ndeshje në krye të rrogozhinasve tashmë, ndryshe që nga janari i vitit 2023. Nuk kujtohet hera e fundit, kur Partizani i ka besuar dikujt për një kohë kaq të gjatë stolin. Kështu Edlir Tetova vazhdimisht është vendosur përballë një ekipi, që ka dikë të ri në krye. Diçka e tillë për të ka qenë edhe përballë klubeve të tjera në futbollin shqiptar. Egnatia është shembulli i vetëm me jetëgjatësinë dhe besimin që i ka dhënë trajnerit. 42-vjeçari është edhe më i suksesshmi i kësaj periudhe për futbollin shqiptar, duke koleksionuar dy tituj kampionë, dy Kupa dhe po një Superkupë
