Partizani vijon përgatitjet në kuadër të përballjes së javës së 30-të ndaj Vllaznisë, takim që do të zhvillohet në stadiumin “Arena e Demave”. Organika e të kuqve është e plotësuar për këtë përballje teksa do të rikthehet Arafat Dumbia pas pezullimit prej kartonëve të verdhë, ndërsa nga ana tjetër, kjo pauzë ka shërbyer edhe për të rikuperuar energjitë.
Në seancën stërvitore të së martës, trajneri Oltijon Kërnaja ka pasur grupin e plotë në dispozicion, teksa mungonte Vusal Isgandarli që ishte grumbulluar me Azerbaxhanin, kombëtare që fitoi eventin e organizuar nga FIFA duke mposhtur në dy ndeshje Santa Luçian dhe Sierra Leonen teksa 30-vjeçari i të kuqve u shfaq protagonist me kombëtaren duke shënuar gol në ndeshjen e parë në fitoren 5-1 ndaj Santa Luçias, si dhe u tregua i saktë nga pika e bardhë në ruletën e 11-metërshave ndaj Sierra Leones.
Isgandarli pritet që të bashkohet në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës në seancën stërvitore të së mërkurës, për të qenë më pas gati për takimin e së shtunës ndaj Vllaznisë. Në këtë formë, trajneri Kërnaja do të ketë organikën e plotë në dispozicion, sigurisht këtu përjashtuar të dëmtuarit që qëndrojë jashtë prej kohësh si Preka, Marku apo edhe Keko. Ky i fundit ka dhënë sinjalet e rikthimit teksa u aktivizua në miqësoren ndaj Laçit duke gjetur edhe rrugën e rrjetës.
Megjithatë, te Partizani do të kërkojnë që të mos rrezikojnë me gjendjen e Kekos pasi siç dihet sulmuesi mungon prej verës së vitit të shkuar kur u dëmtua në ndeshjen e kualifikueseve të Ligës së Konferencës ndaj estonezëve të Nome Kalju. Ndërkaq, nëse nuk ka asnjë të papritur tjetër gjatë javës, pritet që Partizani të zbresë në fushë me formacionin “top” ndaj Vllaznisë, ku sigurisht pritet që të jenë të gatshëm edhe emra si Qaka apo Skuka që në javët e fundit kanë pasur disa probleme fizike.
Ndeshja me Vllazninë është mjaft e rëndësishme në kampin kryeqytetas jo vetëm për faktin se në këtë sezon ende nuk i kanë mposhtur shkodranët, por edhe për të ruajtur komoditetin aktual që të kuqtë kanë në vendin e katërt, e pse jo për të dhënë edhe një sinjal se skuadra e ka forcën për të tentuar edhe titullin kampion. Partizani-Vllaznia do të luhet të shtunën teksa është programuar që të nisë nga ora 17:00, në “Arenën e Demave”.
