Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja dha opinionin e tij para ndeshjes ndaj Elbasanit në Kupë.
Gjendja ekipit…
Gjendja e ekipit është e mirë djemtë janë stërvitur, pothuajse i gjithë grupi është i gatshëm. Me grupin është bashkuar Preka, i cili ende nuk është i gatshëm për ndeshje, por po përgatitet me skuadrën dhe do të jetë gati për ndeshjet e tjera. Pjesa tjetër vijon stërvitjen normalisht.
Periudha e ngjeshur me ndeshje ndikon në aspektin fizik të skuadrës?
Të them të drejtën djemtë në 4 ndeshjet e fundit kanë treguar parametra të mira sportive. Parametrat fizike kanë qenë në rregull. Nuk janë ankuar për ndonjë problem fizik në këto ndeshje. Ekipi është i gatshëm. Kemi rikuperuar sa kemi mundur. Në dy seancat e fundit stërvitore i jemi përkushtuar rikuperimit të energjive të humbura në Ballsh. Do të jemi të gatshëm për ditën e nesërme.
Mendoni se është momenti i duhur për të mundur Elbasanin?
Nesër sigurisht kemi një ndeshje të fortë ndaj një kundërshtari që ka bërë mirë këtë sezon. Realisht po bën një sezon shumë të mirë. Mund të themi ndoshta ne s’e kemi mundur, por që nga drejtimi im gjatë 17 javëve, as Elbasani nuk na ka mundur ne. Kemi një barazim 0–0 në Elbasan dhe 2–2 në shtëpinë tonë kështu që shkojmë me “armë” të barabarta dhe hyjmë në ndeshje për fitore.
Shanset më të larta për të arritur Europën në Kupë apo kampionat?
Ne e kemi thënë që do mundohemi te të dyja kompeticionet të kapim Europën. Kupa me pak menaxhim më të mirë ka mundësi më afër sepse ka më pak ndeshje. Mos harrojmë që në Kupë gjithmonë ka edhe një mundësi të dytë. Pas ndeshjes së parë ke edhe ndeshjen e dytë, ndërsa në kampionat nëse gabon një ndeshje nuk ke kohë rikuperimi. Kupa ta jep mundësinë e rikuperimit. Thjesht duhet të menaxhojmë mirë situatën e ditës së nesërme dhe besoj që do të kualifikohemi.
Sa ka ndikuar fitorja e fundit e ekipit në atmosferën e grupit?
Të them të drejtën atmosfera është jashtëzakonisht shumë e mirë. Edhe në ndeshjen paraardhëse kemi qenë jashtëzakonisht shumë mirë. Kemi treguar që dimë të luajmë futboll, që jemi superiorë në fushë. Ndeshjet e fundit kemi qenë vërtet superiorë ndaj të gjithë kundërshtarëve pavarësisht rezultatit si ai në Shkodër që jemi mundur, apo barazimi 2–2 ndaj Elbasanit që kemi pësuar një gol aksidental në minutën e 90. Djemtë kanë dhënë maksimumin dhe grupi ndihet shumë mirë.
