Merkatoja e Partizanit deri më tani mbetet në tentativë. Klubi i kuq ka nisur prej kohësh punën për të forcuar ekipin, por pa rezultat.

Në klub, prej kohësh qarkullojnë emra të ndryshëm në lidhje me një afrim të mundshëm, por asgjë zyrtare. Nga ana tjetër, largimet kanë nisur dhe pesë janë mbyllur në formë zyrtare. Le t’i bëjmë një bilanc merkatos së kuqe dhe asaj çka ka ndodhur deri më tani.

PEZULL – Lojtari që duket më pranë Partizanit aktualisht është Ismet Sinani. Sulmuesi i Klodiensë në Serinë C ka folur me drejtuesit dhe ka arritur një akord paraprak, por nuk kuptohet përse operacioni nuk finalizohet. Pezull mbetet situata edhe me Arbin Zejnullain, i cili ka mjaft kërkesa dhe financat janë arsyeja përse të kuqtë dhe mesfushori nuk kanë konkretizuar ende asgjë. Esat Mala nuk ka dhënë shumë shpresa, por emri i tij vijon të mbetet si një opsion te të kuqtë deri në momentin që ai nuk ka gjetur ende një klub. Enigmatike mbetet situata me Arshonzh Bintsuka. Kongolezit i ka skaduar kontrata, klubi i ka ofruar rinovimin me pagë më të lartë, për të cilën ka pasur një akord paraprak, por lojtari nuk po duket ende në Tiranë. Në ajër janë edhe dy largime. Podstrelov dhe Vujnoviç vijojnë “luftën” me klubin për rrogat plus që kërkojnë për të firmosur ndarjen konsensuale.

FIRMAT E VETME – I vetmi zyrtarizim sa u përket kontratave të reja që ka bërë Partizani janë marrëveshjet 3-vjeçare për dy të rinjtë, Dion Vata dhe Elson Himallari. Emër i ri është edhe Herolind Shala, por ish-mesfushori i Kombëtares dhe i Kosovës ka mbërritur para mbylljes së këtij sezoni futbollistik. Më pas dera e afrimeve është mbyllur, për të mos u hapur më deri më tani.

LARGIMET – Me largimet klubi ka nisur të lëvizë menjëherë pas mbylljes së sezonit, teksa deri më tani janë konfirmuar plot pesë largime. Taipt, Domgjonit dhe Elekes i skadoi kontrata dhe palët nuk dëshiruan rinovimin, ndërsa Mintongo ishte i huazuar për një vit dhe në fund Partizani hodhi poshtë mundësinë për të aktivizuar opsionin e blerjes, “i parashikuar” në kontratë.44

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb