Pas barazimit 1-1 në “Air Albania”, Partizani që nga e enjtja i është rikthyer stërvitjes për ndeshjen e kthimit kundër bjellorusëve të Bate Borisov e vlefshme për turin e parë kualifikues të Champions League. Seancat stërvitore janë kryer në stadiumin e Kamzës pas orës 18:00.

Kjo për arsyen se tapeti i “Arenës së Demave” është artificial dhe ndikon shumë keq për futbollistët në këto ditë të nxehta, por edhe për faktin se sfida e së martës do të luhet në një teren me bar natyral dhe të kuqtë po përshtaten. Të premten trajneri Zekic zhvilloi edhe një ndeshje kontrolli, ku e ndau skuadrën në dy pjesë dhe kërkoi ritëm maksimal.

Në çastet e fundit të saj ka ndodhur edhe një moment që askush nuk e dëshironte, sidomos para kësaj ndeshjeje vendimtare. Eros Grezda ka mbetur i dëmtuar pas një dueli me Kristian Mba. Burime pranë ekipit bëjnë me dije se sulmuesi ka pësuar një goditje në kavilje, që në pamje të parë nuk duket serioze.

Gjithsesi, ndeshja me BATE-n është vetëm dy ditë larg dhe kjo e vë në rrezik të madh praninë e gjakovarit në sfidën e kthimit. Pritet të saktësohet shkalla e dëmtimit të anësorit, që do të ishte humbje e madhe në rast se nuk ia del për sfidën në Hungari.

Partizani do të niset të hënën drejt Budapestit, ndërsa një ditë më pas do të luhet ndeshja e kthimit me bjellorusët, me këta të fundit që nuk mund të luajnë në shtëpi si pasojë e dënimit nga UEFA.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb