Partizani “fluturon” në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, teksa mundi 2-1 Laçin në “Arenën e Demave”.  Të besuarit e Abilaliaj, i cili mori drejtimin pas largimit të Veselinovic, barazuan pa gola në aktin e parë, ndërsa këtë të martë eliminuan laçjanët në një sfidë plot emocione.

Takimi nisi me ritëm të lartë, me të dyja skuadrat që treguan dëshirë të madhe. Të kuqtë kaluan në epërsi pas 17 minutash lojë. Një goditje e bukur me të majtën e Bintsoukës vendosi në provë portierin, teksa pas topit të kthyer, Podstrelov ia doli që të dërgojë topin në rrjetë.

Takimi do komplikohej për kryeqytetasit në fundin e pjesës së parë. Sembene u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyerje ndaj Mjakit, duke lënë ekipin me një lojtar më pak.

Në fillimin e fraksionit të dytë, kurbinasit shfrytëzojnë në maksimum superioritetin numerik dhe barazojnë llogaritë.  Bibo provoi nga distanca dhe realizoi një gol fantastik, duke gjetur të papërgatitur Qirkon.

Partizani nuk u demoralizua dhe një minutë para fundit të kohës së rregullt, “tundi rrjetën” me Kekon, i cili goditi saktë nga brenda zone.

Partizani i ka objektivat e qarta, teksa synon që t’i shkojë deri në fund rrugëtimit në Kupë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb