Takimi i parë i kësaj jave në kategorinë Superiore është luajtur në orën 18:00, aty ku durrsakët e Teutës kanë pritur Partizanin në “Niko Dovana”. 90 minutat e këtij takimi kanë prodhuar raste të shumta shënimi, por ndeshja është mbyllur me rezultatin e bardhë 0-0.
Partizani është ekipi që humbet më së shumti nga ky takim, pasi iu krijon mundësinë kundërshtarëve për titull të përfitojnë nga ky hap fals i të kuqve. Me një ndeshje më shumë për të luajtur, Kukësi tashmë ndodhet në krye të klasifikimit i shkëputur me 4 pikë.
Duket se ndërprerja e kampionatit nuk i ka shërbyer Partizanit, pasi rezultatet nuk janë ato që priteshin. Një humbje ndaj Luftëtarit dhe një trepikësh i fituar me shumë mund ndaj Vllaznisë tashmë i shtohet edhe ky barazim ndaj Tetës. Kështu në tre takime ka arritur të marrë katër pikë, pak për një ekip si Partizani që pretendon të shpallet kampion.
Teuta me pikën e marrë i shpëton përkohësisht zonës së ftohtë pasi parakalon Laçin në renditje duke u ngjitur në vendin e 8-të me 21 pikë, 1 më shumë se kurbinasit të cilët do të luajnë takimin e tyre nesër kundër Skënderbeut në shtëpinë e këtyre te fundit.
(e.k/BalkanWeb)
