Një fitore e rëndësishme ajo e Partizanit, që në “Elbasan Arena” mposht minimalisht Laçin, por me kampionët në fuqi që tregojnë prova pjekure në një test delikat ndaj skuadrës më në formë dhe sulmuesit më letal të momentit.
Takimi nis me me 15 minuta vonesë për shkak të mungesës së ambulancës në stadium, por kryeqytetasit fitojnë 1-0 falë golit të shënuar nga Jasir Asani në minutën e 26-të, por shfaqin lojë të mirë, raste të shumta shënimi dhe aksione të rrjedhshme, ndërsa është për t’u veçuar dyshja e mbrojtjes Belica-Boldor, që fusin në një morsë të ashpër Nuabuezen, qendërsulmusin nigerian të skuadrës së Cungut, i cili në 12 takime kishte mundur të shënonte 12 gola.
Nota e vetme negative për 16 herë kampionët, është ndëshkimi i Esat Malës. 21-vjeçari e ndoqi ndeshjen nga tribuna pasi nuk ka pranuar rinovimin me Partizanin që shpreson të shmangë një tjetër rast Rrahmani në ekip.
(Balkanweb)
