James Abdey, Drejtor Akademik i Asociuar në departamentin e Statistikës pranë London School of Economics (LSE), i ftuar në studion e News24, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Universitetin Luarasi, i pari në Shqipëri që ofron programet globale të LSE-së.

Abdey tha se një nga objektivat kryesorë të këtij bashkëpunimi është krijimi i një mjedisi ndërkulturor të të nxënit.

“Programet tona janë sfiduese dhe nuk i lehtësojmë, sepse vlera e diplomës lidhet drejtpërdrejt me cilësinë akademike. Përmes partneritetit, ne monitorojmë Universitetin Luarasi për të garantuar që standardet e LSE-së të respektohen,” u shpreh ai.

Studentët shqiptarë do të bëhen pjesë e një komuniteti global prej rreth 10,000 studentësh që ndjekin të njëjtin program në vende si Singapori, Japonia, Egjipti, Brazili dhe më gjerë. Të gjithë ndjekin të njëjtën kurrikulë dhe vlerësohen me të njëjtin standard, duke siguruar mundësi të barabarta për të shkëlqyer pavarësisht vendit të origjinës.

Abdey theksoi se LSE udhëhiqet nga kërkimi shkencor, dhe akademikët janë jo vetëm mësimdhënës, por edhe kërkues aktivë.

“Ajo çfarë mësojnë studentët në Tiranë është në përputhje me zhvillimet më të fundit teorike dhe praktike. Ne rishikojmë çdo pesë vjet lëndët për të pasqyruar evolucionin e njohurive në fushat përkatëse,” tha ai.

Përveç studimeve bazë, programet përfshijnë aftësi praktike digjitale, si Excel dhe Python, si dhe dhjetë aftësi bazë të punësimit, të integruara në kurrikulën e studentëve. Kjo kombinon njohuritë teorike me kompetenca konkrete për tregun ndërkombëtar të punës.

Ky bashkëpunim, sipas Abdey, sjell një hap të rëndësishëm për zhvillimin akademik të Shqipërisë, duke ofruar për studentët shqiptarë mundësi të barabarta për të ndërtuar karriera globale dhe për t’u bërë pjesë e një mjedisi ndërkulturor të pasur dhe sfidues.

Pjesë nga intervista:

Një nga objektivat kryesorë të këtij bashkëpunimi është të krijojë një mjedis ndërkulturor të të nxënit. Si do të përfitojnë studentët nga ky shkëmbim idesh dhe njohurish?

Abdey: Në LSE jemi krenarë për rigorozitetin akademik të programeve tona globale në bashkëpunim me Universitetin e Londrës. Programet tona janë sfiduese, dhe ne nuk kërkojmë t’i bëjmë më të lehta,  sepse besojmë se vlera e diplomës që fiton një student lidhet drejtpërdrejt me cilësinë dhe nivelin akademik të programit.

Përmes këtij partneriteti, ne do ta monitorojmë nga afër Universitetin Luarasi gjatë viteve të para të zbatimit të programit, për të garantuar një sistem të fortë sigurimi cilësie dhe për t’u siguruar që arsimimi i ofruar këtu përmbush standardet që kemi në LSE.

Në këtë mënyrë, studentët në Shqipëri do të bëhen pjesë e një komuniteti të gjerë global prej rreth 10,000 studentësh që ndjekin të njëjtin program në vende të ndryshme të botës, nga Singapori dhe Japonia, deri në Egjipt, Brazil e më tej. Të gjithë ndjekin të njëjtën kurrikulë dhe vlerësohen me të njëjtin standard. Kjo i jep çdo studenti, pavarësisht vendit ku ndodhet, mundësi të barabarta për të shkëlqyer.

Cilat programe apo iniciativa kërkimore mund të lindin nga ky bashkëpunim? A priten zhvillime të reja në të ardhmen e afërt?

Abdey: Në LSE jemi një institucion që udhëhiqet nga kërkimi shkencor. Akademikët tanë nuk janë vetëm mësimdhënës, por kërkues aktivë që sjellin mendimin më të përditësuar në fushat përkatëse në auditorë. Kjo do të thotë që ajo çfarë u mësohet studentëve në Tiranë është në përputhje me zhvillimet më të fundit teorike dhe praktike.

Ne e rishikojmë çdo pesë vjet çdo lëndë që ofrojmë për të siguruar që përmbajtja e saj të pasqyrojë evoluimin më të ri të njohurive në fushat përkatëse. Përtej studimeve bazë, ofrojmë edhe mundësi shtesë për zhvillimin e aftësive praktike përmes programeve digjitale si Excel, Python apo kurse të tjera që i ndihmojnë studentët të jenë gati për tregun e punës.

Gjithashtu, bashkëpunojmë ngushtë me Shërbimin e Karrierës së Universitetit të Londrës, duke përfshirë dhjetë aftësi bazë të punësimit në kurrikulën tonë. Kjo u jep studentëve jo vetëm njohuri teorike, por edhe kompetenca konkrete për t’u integruar me sukses në tregun ndërkombëtar të punës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: